10 vjet luftë në Siri: Rreth 12.000 fëmijë u vranë ose u plagosën

Rreth 12 mijë fëmijë u vranë ose u plagosën në luftën civile siriane 10-vjeçare dhe miliona braktisën shkollën, njoftoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.

Statistikat e zymta u botuan në një raport të UNICEF në prag të 10-vjetorit të fillimit të konfliktit në Siri, i cili filloi në mes të marsit 2011.

Lufta vrau gati gjysmë milion njerëz, plagosi më shumë se një milion dhe zhvendosi gjysmën e popullsisë, ndërsa më shumë se pesë milionë kanë statusin e refugjatit.

Raporti thekson se numri i fëmijëve që shfaqin simptoma të vuajtjes psiko-sociale u dyfishua në vitin 2020, pasi ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dhunës, shokut dhe traumës kishte një ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor të fëmijëve, me pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.

UNICEF tha se gati 12.000 fëmijë ishin vrarë ose plagosur në dekadën e fundit, sipas të dhënave të verifikuara, dhe më shumë se 5.700 fëmijë, disa të moshës shtatë, ishin rekrutuar në forcat e armatosura.

Fondi i Fëmijëve i OKB-së gjithashtu deklaroi se pothuajse 2.45 milionë fëmijë në Siri dhe 750.000 fëmijë të tjerë sirianë në vendet fqinje nuk ndjekin shkollën, nga të cilët 60 për qind janë djem.

Situata për një numër të madh të fëmijëve dhe familjeve është ende e pasigurt dhe se pothuajse 90 për qind e tyre kanë nevojë për ndihmë humanitare, e cila është një rritje prej 20 për qind vetëm vitin e kaluar, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *