50 mijë euro “bileta” e VMRO-DPMNE-së për në Berlin, deputeti gjerman dorëhiqet pasi loboi për Gruevskin

Deputeti i partisë në pushtet CSU në Bundestagun Tobias Ceh ka marrë rreth 50 mijë euro nga VMRO-DPMNE-ja , që “t’i hapë dyert “ e Berlinit për Nikolla Gruevskin në vitin 2016. Bëhet fjalë për periudhën kur Gjermania ishte më e zëshme për qeverisjen e tij. Përveç kësaj, ai ka zhvilluar takime me anëtarë të partive simotra të CDU-së së Merkelit, siç janë ministri federal për bashkëpunim ekonomik, Gerd Miler dhe ministri i brendshëm Horëst Zehofer në Munih por edhe me politikanë të tjerë.

Paratë ishin transferuar në xhirollogarinë e kompanisë së deputetit, PR Konsalting . Deputeti nga shkaqe morale dha dorëheqje nga funksioni pasi u zbulua se ka lobuar për ish -kryeministrin maqedonas. Këtë e publikoi gazeta prestigjioze gjermane Shpigel në analizën e saj. Kërkuam përgjigje nga VMRO-DPMNE-ja në lidhje me atë nëse mjetet ishin transferuar nga xhirollogaria e tyre. Në vend të përgjigjes morëm pyetje.

“VMRO-DPMNE-ja nuk do të komentojë punë të brendshme të një shteti tjetër, sidomos ristrukturime të brendshme ndër partive simotra. Është praktikë e rregullt në vendet demokratike që të angazhohen kompani PR dhe këshillim strategjik. Më duhet të theksoj se marrëveshje të këtilla në të kaluarën ka pasur edhe te partitë e mëdha në Republikën e Maqedonisë dhe këto gjëra janë me karakter të besueshëm. Mendojmë se është më e rëndësishme për qytetarët që pushteti të japë përgjigje se pse nuk ka vaksina, pse në vend të vaksinave ata vrapojnë pas provizioneve dhe pse funksionarë aktualë të pushtetit dezertojnë në kohë të koronës dhe shkojnë në pushime që kushtojnë shuma milionëshe derisa populli vdes. Maqedonia është në vend të tretë për nga vdekshmëria në botë për shkak të koronës”, u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.

Cehu ishte pjesë e fushatave zgjedhore të VMRO-DPMNE-së me mbështetje të plotë dhe mesazh:

“Nëse e zgjidhni këtë parti, nëse përsëri votoni për Nikolla Gruevskin, votoni për të ardhmen e Maqedonisë”, deklaroi Tobias Ceh, deputet i Bundestagut.

Cehu sot thotë se në periudhën kur ka bashkëpunuar me Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në, gjoja nuk ka ditur për akuzat për korrupsion dhe për abuzimin e pushtetit. Para sjelljes së aktvendimit për Gruevskin, nga mediat ka mësuar për dyshimet e këtilla. Por marrëveshja aso kohe tashmë ishte e lidhur. Edhe pse Cehu justifikohej për Shpigel se gjithçka që ka punuar e ka bërë në mënyrë legale dhe nuk ishte në kundërshtim me funksionin e tij si deputet, por pasi u ballafaqua me dokumentet , ka vendosur të japë dorëheqje në Bundestag. Në vjeshtë, 2017, Ceh e ka humbur vendin si deputet. Në vitin 2018 e ka likuiduar edhe kompaninë për PR këshillime përmes së cilës e ka lidhur marrëveshjen me VMRO-DPMNE-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *