Agjencia Rregullatore e Barnave: AstraZeneca nuk ka lidhje me mpiksjen e gjakut

Të gjithë duhet ta marrin vaksinën antiCovid të AstraZeneca-s, pavarësisht se disa vende të BE-së e kanë ndaluar përdorimin e saj mes shqetësimeve rreth rrezikut të mpiksjes së gjakut, njoftoi sot Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore e Britanisë së Madhe (MHRA), sipas BBC.

“Provat nuk sugjerojnë se vaksina shkakton mpiksje gjaku”, tha MHRA.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë arsye për të ndaluar përdorimin e saj.

Nga ana tjetër, prodhuesi i AstraZeneca-s ka shtuar se nuk ka prova të një lidhjeje mes vaksinës dhe trombozës.

“Njerëzit duhet të vazhdojnë të marrin vaksinën e tyre Covid-19, kur u kërkohet ta bëjnë këtë”, theksoi kreu për sigurinë e vaksinave në MHRA, Phil Bryan.

“Ne po rishikojmë nga afër raportet, por duke pasur parasysh numrin e madh të dozave të administruara dhe frekuencën në të cilën mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm, provat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina është shkaku”, shtoi ai.

“Ka prova shumë siguruese se nuk ka rritje të një fenomeni të mpiksjes së gjakut këtu në BM, ku janë administruar sasia më e madhe e dozave në Europë deri më tani”, këmbënguli profesori Andrew Pollard, drejtori i grupit të vaksinave të Oksfordit.

Agjencia Europiane e Barnave (EMA), që po kryen një rishikim të incidenteve të mpiksjes së gjakut, tha se “përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *