Kosovë: Shtyhet për në ora 17:00 seanca e Kuvendit për Projektbuxhetin 2021

Është shtyrë për në ora 17:00 mbajtja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, për të votuar në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin e vitit 2021.

Kjo shtyrje është bërë me arsyetimin se nuk është gati raporti i plotë me amendamentet për votim të dytë të këtij Projektligji.

Seanca ishte paraparë të mbahet në ora 14:00.

“Ne deri tani pritem për përgatitjen e materialit të nevojshëm për seancë, por sapo u informuam nga administrata që deri në orën 17:00 raporti me rekomandime lidhur me amendamente nuk do të jetë gati. Kështu që seanca shtyhet deri në ora 17:00”, tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të hënën në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2021.

Pas diskutimeve, me 64 vota pro kaluan në parim këtë Projektbuxhet.

Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *