Deklarata ‘tronditëse’ e një prej ish-krerëve të VV-së: Ja çfarë me thoshte Albin Kurti për Ibrahim Rugovën – faqet e LDK-së publikojnë pamjet

Kryetari i Prishtinës dhe ish-zyrtari i lartë i VV-së, Shpend Ahmeti, muaj më parë kishte bërë një deklaratë, ku kishte zbuluar të vërtetën se sa kishte qenë në Vetëvendosje i ishte ndaluar të shkojë te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Janë pikërisht disa faqe në Facebook, prapa së cilave duket se qëndrojnë aktivistët e LDK-së, që kanë publikuar këto pamje të Ahmetit, teksa ky i fundit flet për disa të panjohura sa ishte pjesë e VV-së.

“Kam kërkuar, por nuk më kanë lanë. Kam thanë më lejoni. Pyetne Albin Kurtin ose Glauk Konjufcën. Nuk bën hiç Shpend, nuk bën hiç. Kjo do të ishte katastrofë për Vetëvendosjen”, deklaronte Shpend Ahmeti.

Ai madje, kishte treguar se Kurti i kishte thënë se, “roli i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka qenë problematik, mohimi i UÇK-së ka qenë problematike, dhe ne nuk mendojmë se duhet të shkojmë ta respektojmë Ibrahim Rugovën”.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përplasur jo rrallëherë edhe për këtë çështje.

Në shkurt të vitit të kaluar, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit në detyrë, Vjosa Osmani, kishin bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Kurti nga kjo vizitë kishte thënë se i vlerëson përpjekjet institucionale të presidentit Rugova.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet përsëri president, president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, kishte deklaruar Kurti./BOTA SOT/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *