Ali Ahmeti sot ka ditëlindjen

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim sot po feston 62 vjetorin e tij. Ai ka lindur më 4 janar 1959 në Zajaz, Kërçovë.

Advertisement

Ali Ahmeti lindi më 4 janar të vitit 1959 në fshatin Zajaz të Kërçovës, Republika e Maqedonisë së Veriut. Angazhimi politik i tij ka filluar qysh në shkollë të mesme, kur arriti që me sukses të vendoste përdorimin e gjuhës shqipe në gjimnazin e tij në Kërçovë. Në vitin 1979 Ahmeti fillon studimet në Fakultetin filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, ku diplomon në vitin 1983.

Gjatë viteve 1981 dhe 1983 ai bëhet njëri nga bartësit e lëvizjes studentore qëllimi i së cilës ka qenë përmirësimi i statusit politik të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut dhe ka ndihmuar në organizimin e protestave studentore në Prishtinë, aktivitet i cili kulminoi me arrestimin dhe dënimin në një vit burg për bindje politike. Në vitet 1984/86 ka ndihmuar në ripërtrirjen e lëvizjes studentore dhe popullore në Kosovë. Në vitin 1986, Ahmeti fiton azil politik në Zvicër, ku jeton deri në vitin 2001 dhe vepron si koordinator i grupeve të ndryshme. Në vitet 1988/89 ai është njëri nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve të cilat për herë të parë më seriozisht e sfiduan regjimin e Sllobodan Milosheviçit.

Në vitin 1996, në vlugun e rritjes së presionit dhe dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, Ahmeti ka qenë njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998, në fillim të luftës, ai është zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2001 Ali Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni të Veriut. Pas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar në gusht dhe shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në shtator të këtij viti, Ahmeti angazhohet aktivisht në procesin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në qershor të vitit 2002, Ahmeti e themelon Bashkimin Demokratik për Integrim dhe zgjidhet Kryetar i kësaj partie.

Në shtator të vitit 2002, Bashkimi Demokratik për Integrim e fitoi besimin e shumicës dërmuese të elektoratit shqiptar në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Ali Ahmeti u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim hyri në koalicionin qeveritar.

Që atëherë e deri sot partia të cilën po e udhëheq Ali Ahmeti i ka fituar të gjitha ciklet zgjedhore në bllokun shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Advertisement

Leave a Reply