Kërkesat e protestuesëve për drejtësi në Shkup, drejtuar qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar

Mijëra protestues sot në Shkup protestuan kundër rasteve të montuara, ku protestuesit marshuan drejt Qeverisë. Protestuesit me fillimin e protestës shpalosën dhe marshuan me një flamur gjigant Kuq e Zi, dhe me pankarta për barazi dhe drejtësi.

Përfaqësuesi i këshillit të protestës dhe familjarëve të dënuar në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari theksoi se janë tubuar sot për të shprehur dhimbjen e madhe që po përjetojnë si familjarë, por edhe për rastet e tjera të shumënumërta të montuara.

“Dënimin që po e bën kjo Qeveri, është e njejtë sikur nga Qeveritë e mëhershme, përmes politizimit dhe kontrollës së gjykatës. Ne këtu nuk po kërkojmë lëmoshë, por po kërkojmë drejtësi evropiane, për veprat e montuara, duke nisur nga “Sopoti” e deri tek rasti “Monstra”, me dëshmitarë të koduar duke i dënuar me burgim të përjetshëm”, theksoi Ajdari, përcjell INA.
Ai numëroi edhe kërkesat nga kjo protestë:

“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të lirohen të arrestuarit nga protesta e kaluar dhe se qëllimi i tyre është për të heshtur zërin e protestës. Të merren masa ndaj policëve që provokuan protestuesit, ushtruan dhunë, duke hedhur gurë dhe provokime tjera. Kërkojmë që të formohet komision qeveritar dhe komision parlamentar për të zbardhur të vërtetën e të gjitha rasteve të montuara politike ndaj shqiptarëve. Kërkojmë edhe nga faktori ndërkombëtarë, BE dhe NATO që të ndihmojnë në zbardhjen e të gjitha rasteve të montuara politike”, theksoi Bedri Ajdari.

Dr.Adil Mustafa në emër të forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut IGFM theksoi se sot po protestojnë për barazi dhe për drejtësi. “Ne do të protestojmë gjithmonë sepse për tre dekada ne jemi të shkelur dhe nuk respektohen të drejtat e tona. Shihet se tani dhe më parë se shqiptarët nuk po pyeten. I bëj thirrje të gjitha partive shqiptare të bashkohen dhe të braktisin Qeverinë dhe Kuvendin, derisa shqiptarët të bëhen të barabartë. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe nuk mund të jetë shtet unitar. Ne vazhdojmë me protesta, nuk ndalemi duke kërkuar hetim ndërkombëtar për të gjitha rastet e montuara”, theksoi Adili.

Kryetari i Shoqatës së të burgosurëve politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Pollozhani theksoi se zëri i protestës shqiptare do të dërgjohet edhe në instancat më të larta të administratës amerikane dhe se sipas tij po përgatitet një Memorandum që zbardh dhe pasqyron të vërtetën e gjendjes së shqiptarëve në këtë vend.
Sipas tij, në këtë vend vazhdon diskriminimi dhe se shqiptarët duhet të shtrojnë qartë kërkesat e tyre politike për ndryshimin e Kushtetutës kundër hegjemonizmit të pushtetit maqedonas, pasi që sipas tij, është e qartë se nuk po respektohet ligji për gjuhën shqipe, gjykatat e kontrolluara dhe domosdoshmëria e reformimit të tyre, ka partizim të administratës.

“Kur janë në pyetje shqiptarët, gjykatat e vendit aplikojnë aparthejd të vërtetë, ndërsa për maqedonasit ka trajtime tjera. Derisa për branitellat ka një ligj që e shijojnë edhe nipërit e tyre, e për luftëtarët e ish-ushtarët e UÇK-së nuk ka asgjë, por vetëm dënime”, theksoi Pollozhani. Sipas tij, shqiptarët dënohen me dënime drakonike me dëshmitarë të rrejshëm të koduar.

Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit, i dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Alfa” theksoi se kishte shpresë se pas largimit të VMRO-DPMNE-së nga pushteti do t’i hapet rruga zbardhjes së rasteve të montuara. Megjithatë, ai, thotë se tani është bindur se, të gjitha partitë i trajtojnë njësoj rastet e montuara dhe asnjëra prej tyre nuk angazhohet që drejtësia të del në shesh dhe të lirohen nga burgjet, shqiptarët e dënuar pa faj.
Në këtë protestë ngritën zërin edhe përfaqësues të tjerë të protestës, ndërsa të pranishëm ishin edhe deputetë nga Kuvendi i Shqipërisë. Përfaqësuesit e Këshillit protestues theksuan se nuk do të ndalen dhe do të vijojnë me protesta për drejtësi dhe barazi. (INA) PROTESTA E PLOTE LINKU 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *