Haradinaj i drejtohet Kurtit: Çfarë zori keni që po e vidhni këtë ligj e po e sillni natën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pyetur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe deputetët e LVV-së se çfarë zori kanë që po e vjedhin Ligjin për zgjedhje dhe po e sjellin në Kuvend natën.

Ai tha se është jashtëzakonisht i befasuar për të keq nga mënyra e punës së kësaj qeverie dhe potencoi se një mënyrë të tillë të punës e kundërshtojnë.

“Unë e kam një pyetje të sinqertë për kryeministrin Kurti dhe për ju dhe për deputetët e LVV, a mundeni me më tregu çfarë zori keni që po e vidhni këtë ligj e po e sillni natën, të premten në mbrëmje e nuk po e bini javën tjetër në procedurë të rregullt. Tregoni pash Zoti çfarë zori keni, ku po ju dhemb, një zor duhet me e pas. Nëse ju e keni atë zor jemi në gjendje me ju ndihmua nga ai zor, po mos ia bëni këtë Kosovës, demokracisë së Kosovës, ju i dini procedurat për reformë zgjedhore, për ligjin për zgjedhjet, ju e dini që duhet të ketë një dakordim pozitë-opozitë për rregullat në zgjedhje. Jam jashtëzakonisht i befasuar për të keq me këtë mënyrë të punës së juaj. Ne e kundërshtojmë këtë mënyrë të punës dhe po ju siguroj që ne dëshirojmë çdo herë të jemi jo veç me diasporën po me të gjithë bashkëkombësit tanë që dëshirojnë me marr pjesë në zgjedhje t’ua lehtësojmë atyre. Por, nuk jemi që të dhunohet demokracia e Kosovës në këtë mënyrë dhe sistemi demokratik që po e ndërtojmë së bashku”, tha Haradinaj.

Ai tha se një seancë e tillë do të kishte kuptim nëse do të ishte thirrur për të diskutuar rreth çështjes së energjisë elektrike apo për efektet e pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *