Vuçiç: “E vështirë të flasësh me shqiptarët” – Ne u kujdesëm mos të kishim konflikt të armatosur…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa kohë që ai të jetë në krye të shtetit.

Në një intervistë për “Vecernje Novosti”, ai tha se “nuk e di çfarë duhet të ndodhë që kjo të ndryshojë”.

“Ne bëmë më të mirën. Ndoqëm një politikë të zgjuar, e shpëtuam Serbinë nga konflikti. Unë njoh mijëra njerëz që mezi presin ndonjë konflikt të ri dhe do të gjenin arsye të panumërta pse do ta donin atë”, tha ai.

Ai shtoi se Serbia u kujdes që të mos hyjë në konflikt me gjithë botën për shkak të politikës karshi Kosovës.

“Ne ndoqëm një politikë të vështirë, politikën serbe, mbrojtëm interesat kombëtare dhe u kujdesëm që të mos hynim në një konflikt me të gjithë botën dhe të mos kishim ndonjë konflikt të armatosur. Jo sepse jemi më të dobët, por sepse nuk është e nevojshme. Serbia ka nevojë për zhvillim”, tha Vuçiç.

Presidenti serb thekson më tej se “është e vështirë të flasësh me shqiptarët”.

“E tëra që shihni është një fushatë kundër serbëve, Serbisë dhe presidentit të saj. Ata kërkuan fillimisht njohjen e Kosovës, më pas vijuan me kërkesën e dytë, për dëmet e luftës, dy ditë më vonë kërkesa tjetër, ‘pranoni që keni kryer gjenocid’. Dhe pastaj e kupton që po bisedon me njerëz që nuk binden se mund të bëjmë diçka së bashku”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *