Dy paga minimale nuk mjaftojnë për nevojat themelore mujore të një familjeje

Dy paga minimale nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet themelore mujore të një familjeje katër anëtarëshe. Përllogaritjet e fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor shuma e shportës minimale ishte 33.742 denarë, që është për 3.874 denarë më shumë në raport me dy paga minimale.

Më së shumti para shpenzohen për ushqime dhe pije, si dhe për shpenzimet e përgjithshme. Kështu, një familje prej katër anëtarësh, që cila jeton në një shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon automjet, ka nevojë për 14.149 denarë për nevoja themelore për ushqim dhe pije, ndërsa 8.547 denarë vetëm për t’i mbuluar shpenzimet komunale. Për higjienën personale dhe higjienën e shtëpisë, shpenzimet minimale janë 2.375 denarë.

Llogaritjet tregojnë se shporta minimale e sindikatës po rritet nga muaji në muaj, që do të thotë se po rriten shpenzimet e jetesës për punëtorët. Kështu, krahasuar me tetorin, shporta e sindikatës është rritur për 38 denarë, ndërsa krahasuar me shtatorin për 121 denarë. Nga fillimi i vitit deri në nëntor pothuajse për njëmijë denarë janë rritur shpenzimet themelore mujore, përkatësisht nëse në janar një familjeje me katër anëtar i duheshin 32.791 denarë, tashmë në nëntor për mbulimin e nevojave themelore i duheshin 951 denarë më shumë.

Nga ana tjetër, vlera e shportës në nëntor të këtij viti krahasuar me vlerën e parë të llogaritur dhe publikuar të shportës minimale në dhjetor 2010, është më e lartë për 4.543 denarë.

“Vlera e shportës minimale të sindikatës e llogaritur nga LSM-ja tregon drejtpërdrejt se paga minimale nuk është e mjaftueshme as për ushqim dhe pije, duke ditur që shumica e punëdhënësve që paguajnë pagë minimale, nuk paguajnë shtesa dhe kompensime të pagës, por të njëjtat i llogaritin në shumën e pagës minimale të punëtorëve, që është e paligjshme. Megjithatë, ushqimi dhe pijet nuk janë shpenzimet e vetme për funksionimin normal të një familjeje, ndërsa llogaritjet tregojnë se as dy paga minimale nuk janë të mjaftueshme për ta mbuluar shportën minimale të sindikatës prej 33.742 denarë në nëntor 2020”, thonë nga LSM-ja në deklaratë për MIA-n.

Prej atje theksojnë se vazhdimisht po përpiqen dhe po kërkojnë rritje të pagës minimale në mënyrë që të përmirësohet standardi i punëtorëve me paga më të ulëta dhe familjeve të tyre.

“Shportën minimale të sindikatës e përpunojmë për ata që thonë se nuk është e nevojshme rritja e pagës minimale, për ta bërë më të qartë se me pagën minimale punëtori fiton vetëm për bukë dhe ujë”, theksojnë nga LSM.

Harmonizim i ri i pagës minimale pritet në mars bazuar në mendimin e Këshillit Ekonomik dhe Social, i cili përfshin përfaqësues të Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve.

Që nga viti 2012, kur për herë të parë është paguar paga minimale në vlerë prej 8.050 denarë, ajo është rritur për 6.884 denarë./TV21/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *