Gurgurnica e harruar nga shteti, banorët me vetëfinancim po e kthejnë në një vend piktoresk (Foto)

Nuk është hera e parë që banorët e fshatit Gurgurnicë me vetiniciativë intervenojnë në punët që nuk i bën dot shteti.

Sot në një faqe në “Facebook” që mirëmbahet nga disa banorë të Gurgurnicës është publikuar edhe një projekt për ndërtimin e një parku dhe një shëtitoreje. Edhe ky projekt si shumë të tjerë do të financohet nga xhepi i banorëve të fshatit, e jo nga shteti.

Në projekt parashihet instalimi i sistemit të ujitjes, vendosja e stoleve, ndriçim i parkut, vendosja e më shumë koshave për plehra, qendra për ujë për pije, bar i ri dhe shtigje të reja. Në fotografitë më poshtë shihet se si do të duket parku pas ndërtimit. Një shembull se si duke njohur vetëveten, bëhemi rrugë të cilën duhet ndjekur edhe të tjerët! Ta duam dhe dashurojmë fshatin, ashtu siç duam dhe dashurojmë shtëpinë tonë” shkruhet postimin ku është publikuar projekti.

Së fundmi banorët e fshatit Gurgurnicë kanë filluar me vetëfinancim edhe hapjen e një rruge që të shpie në Liqenin e Kozjakut e cila është në përfundim, me qëllim zhvillimin e turizmit, nismë kjo që gjithashtu nuk ka gjetur përkrahjen e kompetentëve, pra pa ndihmë dhe përkrahje nga Komuna e Bervernicës në të cilën graviton Gurgurnica e as nga Qeveria.

Kohë më parë, afaristi dhe humanisti nga Gurgurnica, tani më i ndjerë, Abdullah Bekteshi financoi asfaltimin e rrugës në hyrje dhe në brendësi të fshatit, ujësjellësin dhe shumë punë të tjera për të cilat në një vend normal, do duhej të bëheshin nga organet kompetente, lokale dhe qendrore.

Gurgurnica gjendet vetëm 36 km larg Tetovës. Është vend piktoresk me tradita të lashta kombëtare. Shkaku se është lënë pas dore, pjesa dërmuese e banorëve të kësaj zone kanë migruar në shtetet perëndimore por asnjëherë nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre. Thuajse të gjithë mërgimtarët vijnë në fshat sa herë që u jepet mundësia dhe asnjëherë nuk kursejnë kur bëhet fjalë për projekte dhe nisma me qëllim, lehtësimin e jetës së banorëve që kanë mbetur këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *