Rusia shënoi një tjetër rekord të ri: 780 persona me KOVID-19 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit

Rusia ka thënë se 780 persona kanë vdekur me koronavirus në 24 orët e fundit, njëherësh shifra më e lartë e viktimave brenda një dite, prej shpërthimit të pandemisë.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në këtë periudhë ka shkuar në 24,702.

Deri më tani, autoritetet ruse kanë regjistruar mbi 5.7 milionë raste me koronavirus dhe rreth 144,000 viktima.

Megjithatë, kritikët besojnë se shifrat në realitet janë shumë të larta, për shkak të mosraportimit dhe fshehjes së qëllimshme të rasteve, transmeton REL.

Rusia është duke u përballur me shpërthim të ri të virusit, dhe zyrtarët shëndetësorë kanë fajësuar variantin Delta dhe hezitimin për t’u vaksinuar, për këtë gjendje.

Vetëm 15 për qind e popullsisë ka marrë vaksina kundër koronavirusit.

Shumë persona kanë thënë se nuk i besojnë vaksinës ruse Sputnik V, andaj edhe nuk vaksinohen.

Pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve, Kremlini ka thënë se nuk planifikon të vendosë masa të reja të izolimit kombëtar.

Moska, ku sipas autoriteteve situata po stabilizohet, ka raportuar 4,991 raste të reja me këtë virus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *