Kokaina e kapur në Durrës/ Flet pronari i kompanisë: Unë bananet kam, s’mbaj përgjegjësi për kontejnerin

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me kokainën e kapur në Durrës. Pronari i kompanisë ku u sekuestruan 11 kg kokainë në Portin e Durrësit, Eduart Dauti, ka thënë për Ora News se nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës, ndërsa theksoi se nuk mban asnjë përgjegjësi. Dauti, ka rrëfyer nga Franca ku ndodhet për një vizitë me familjen, se s’ka pasur asnjë dijeni se në kontejnerin me banane ishte futur një sasi e tillë droge.

“Unë jam në Francë aktualisht dhe nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Më kanë marrë miq e shokë, duke më treguar se është kapur drogë në kontejner, por realisht nuk di asgjë. Prej tre ditësh ndodhem në Francë së bashku me familjen pasi kam ditëlindjen e vajzës. Nesër besoj vijë në Shqipëri, pasi kam dhe biletat e kthimin dhe do sqaroj të gjithë pozicionin tim dhe të kompanisë”-ka thënë Dauti.

Ndër të tjera, ai ka thënë se edhe herën e kaluar kompania e tij është përfolur për trafik droge, por autoritet amerikane sqaruan situatën duke e kapur drogën e trafikantëve, pikërisht në portin e Pireut.

“Ky kontejner i bllokuar ditën e sotme ka mbërritur në portin e Durrësit nga porti i Pireut në Greqi. Sasia e bananeve është blerë nga firma në një kompani tjetër në Ekuador. Unë kam bananet nuk kam kontejnerin dhe s’mbaj përgjegjësi se çfarë i futet kontejnerit gjatë rrugës. Trafikantët shqiptarë përdorin mallin tim për të transportuar drogën e tyre”- ka pohuar Dauti.

Vlen të thuhet se magazina e kompanisë së bananeve është kontrolluar e gjitha me shumë urgjencë mesditën e sotme nga policia, me shpresën e sigurimit të provave të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *