Merkel kundër vaksinimit me detyrim: Të fitojmë besimin e qytetarëve me ndërgjegjësim

Kancelarja Angela Merkel nuk është partizane e vaksinimit të detyrueshëm, qoftë ky edhe për kategori që konsiderohen si më të rrezikuar nga Covid, si mjekët, personeli shëndetësorë, apo punonjës të tjerë publikë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit.

Merkel ka refuzuar të martën çdo propozim të ekspertëve gjermanë të shëndetit publik, që i kanë këshilluar që Gjermania të shikojë mundësinë që të bëjë të njëjtën gjë si Franca, ku së fundmi është marrë vendimi për vaksinimin e detyrueshëm të personelit shëndetësor.

Sipas Merkel, një vendim i tillë nuk do të merret sepse “do të dëmtonte” besimin e qytetarëve të qeveria e tyre. Në vend të kësaj, Kancelarja gjermane ka propozuar që të vijojë fushata e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit, edhe përmes dhënies së shembujve.

“Ne nuk kemi ndërmend që të detyrojmë qytetarët që të vaksinohen. Ne mund të fitojmë besim duke promovuar vaksinimin dhe duke lejuar që sa më shumë njerëz mes qytetarëve të bëhen ambasadorë të vaksinës nga përvoja e tyre”, tha Merkel ditën e martë.

Fushatat e ndërgjegjësimit dhe theksimit të rëndësisë së vaksinës ndërkohë vazhdojnë, ndërsa interesi i ulët për t’u vaksinuar ka bërë që Gjermanisë t’i shtohen vaksinat që ka stok në magazina.

Gjermania ka vaksinuar rreth 43 për qind të të rriturve, ndërsa numri total i atyre që kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës është 60 për qind. Interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar ka rënë ndjeshëm gjatë javëve të fundit, në një kohë që autoritetet paralajmërojnë për rrezikun që shfaq varianti Delta i virusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *