Taktizimet e Ali Ahmetit / As Ramiz Merko e as Teuta Arifi nuk do të jenë kandidatë

Teksa po afron dita e shpalljes së zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, partitë po bëjnë përgatitjet e fundit dhe taktizimet për shpallje të emrave të kandidatëve potencialë. Ndër komunat më të rëndësishme dhe me më shumë pikëpyetje në garën zgjedhore të vjeshtës, padyshim se pritet të jenë Tetova dhe Struga. Krerët aktualë të këtyre dy komunave, Teuta Arifi dhe Ramiz Merko kanë shfaqur hapur ambiciet për të marrë edhe një mandat, Arifi të tretin e Merko të katërtin. Por qeverisjet e tyre lokale janë karakterizuar me akuza të shumta, kritika për keqpërdorime, paaftësi menaxhimi e gjëra të tilla të ngjashme. Kjo e bën ende më të madhe dëshirën për ndryshim tek qytetarët dhe kërkesën me ngulm të partive opozitare për ta marrë pushtetin lokal, shkruan in7.

Derisa në komunat tjera, pak a shumë dihen emrat e kandidatëve, qoftë nga pozita apo opozita, në këto dy komuna taktizohet ende. Ali Ahmeti, kreu i BDI-së në daljet e tij të fundit publike nuk i ka pêrjashtuar nga gara as Merkon e as Arifin, ndërkohë që për të dyja komunat përfliten edhe emra tjerë si kandidatë të mundshëm. Burime të in7 pranë partisë së Ahmetit dhe burim i lartë pranë LSDM’së, konfirmojnë se as njëri e as tjetri sipas gjitha gjasave nuk do të jenë në garë.

Me shumë siguri, në Strugë partia e Ahmetit do të garojë me Jeton Shaqirin, ministër aktual në qeverinë e Zaevit. Kritikat e mëdha ndaj Ramiz Merkos dhe dyshimet për keqpërdorim e në veçanti situata me bregun e liqenit, betonizimin dhe ndërtimet pa leje, kanë bërë që LSDM’ja e Zaevit të heqë dorë nga përkrahja për Merkon. Strukturat lokale të LSDM’së ia kanë shprehur këtë shqetësim Zaevit, duke e paralajmëruar se nuk mund të garantojnē rezultat me Merkon në krye të garës. Kundër kandidimit të Merkos, mësojmë se janë edhe struktura të ndryshme të përfaqësive ndërkombëtare në vend. Ahmeti po taktizon duke pritur edhe kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Merko sipas gjitha gjasave nuk do të marrë dritë jeshile.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Tetovë, por për dallim me Strugën, në Tetovë nuk është LSDM’ja kundër kandidimit të Teuta Arifit, por strukturat lokale dhe anketat e reja të zhvilluara edhe brenda partisë së Ahmetit, por edhe nga organizata të ndryshme. Sipas gjitha gjasave, Ahmeti po taktizon duke pritur edhe kandidatin e Opozitës Shqiptare. Nga ajo që kemi arritur të mësojmë, në lojë për të parin e Tetovës në partinë e Ahmetit ka hyrë edhe Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti si dhe Ibrahim Dehari, biznesmen në fushën e hotelierisë. Madje siç thuhet, të dy këta janë dyshe që do të shkojnë bashkë. Nëse vendoset që kandidat të jetë biznesmeni Dehari, Vullnet Ameti mund ta marrë drejtimin e Shtabit.

Rektori Ameti është në fund të mandatit të tij në krye të Universitetit të Tetovës, ndërsa si kompromis që po përfolet në qarqe brenda degës së Tetovës, mund të jetë që vendin e tij ta zë Teuta Arifi. Megjithatë këto janë vetëm supozime dhe informata të pakonfirmuara zyrtarisht. Ajo që pothuajse është e sigurtë, Teuta Arifi nuk do të jetë kandidate për Komunën e Tetovës.

Zgjedhjet lokale të vjeshtës që po vjen do të jenë më interesantet deri tani, sidomos në bllokun politik shqiptar. Dallimet mes pozitës dhe opozitës nuk duket të jenë të mëdha, me garë të hapur në pothuajse të gjitha komunat./in7.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *