Gara për komunat shqiptare, ngushtohet numri i emrave të mundshëm për kandidatë

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale, aq më tepër ngushtohet numri i emrave si kandidatë të mundshëm për kryetarë. Disa prej tyre tashmë janë zyrtarizuar nga partitë, ndërsa për disa komuna ka parti që ende po analizojnë se kë të kandidojnë, ose-ose të mos nxjerrin asnjë kandidat.

Në Tetovë, këtu ku maten forcat e partive shqiptare, nga radhët e BDI-së, pritet që të rikandidohet Teuta Arifi, për të cilën javë më parë kreu i partisë, Ahmeti, në TV21 pat deklaruar se nuk qëndron keq në anketa. Koalicioni Aleanca-Alternativa ende nuk dihet sigurt se me cilin kandidat do të dalë në këtë qytet, ndërsa emri më potencial që përflitet është i mjekut Ilir Demiri. Nga Lëvizja Besa tashmë është konfirmuar se do të rikandidojë kryetari i partisë Bilall Kasami. PDSh ka zyrtarizuar rikandidimin e Sadi Bexhitit.

Në Gostivar, nën logon e integristëve me shumë gjasa do të garojë Nevzat Bejta. Koalicionit ASh-Alternativa është konfirmuar se do t’i prijë kryetari aktual, Arben Taravari. Kundërkandidat nga radhët e Besës do ta ketë deputetin aktual Fadil Zendeli, ndërsa nga PDSh tashmë është konfirmuar se kandidat do të jetë Frymzim Dauti, drejtor aktual i Bibliotekës Kombëtare.

Kërçova mbetet ende më e paqarta për kandidaturat. Bashkimi Demokrati me Integrim ka shanse që të dalë sërish me Fatmir Deharin, por ky përballë mund ta ketë ish-bashkëpartiakun, Fatmir Limani, i cili ka paralajmëruar kandidimin si i pavarur, ndërsa ka nisur edhe fushatë në diasporën kërçovare. Nuk dihet ende nëse kaolini Aleanca-Alternativa do të dalë me kandidat në këtë qytet. Kjo sepse përçarja e votës, rrezikon që komuna t’u ikë nga duart partive shqiptare. Besa ndërkaq, siç mëson TV21, është e sigurt se në Kërçovë nuk do të nxjerrë kandidat, ndërsa nga PDSh nuk ka informacion, edhe pse mund të ceket se e njëjta qëndron dobët në këtë komunë.

Strugën integristët me shumë mundësi edhe në zgjedhjet e vjeshtës do ia besojnë kryetarit aktual, Ramiz Merko. Si kundërkandidat nga radhët e ASh-Alternativën përmendet emri i Imer Imerit. Besa qytetin buzë liqenit do të përpiqet ta marrë me kandidimin e Abudullah Qazimit. E nga PDSh ende nuk dihet se a do të ketë kandidat dhe kush do të ishte.

Në Dibër, BDI-ja planifikon që sërish të dalë me Hekuran Dukën. Aleanca-Alternativa ende po bën analiza, por emrat që përmenden janë Ilirjan Fetahu dhe Bekim Pocesta. Besa këtu me shumë gjasa do të dalë me Nehat Hysën, e për PDSh-në ende nuk dihet.

Sa u përket komunave të tjera që drejtohen nga shqiptarët, nga ajo që dihet deri më tani, Likovën BDI do ta risynojë me Erkan Arifin, Besa planifikon të kandidojë ish-gazetari Fatos Rushiti ose një familjar të dëshmorit Ismet Jasahri – Komandant Kumanova, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Nga PDSh kandidat për Likovën do të jetë Burhan Murati.

Për Çairin, BDI edhe një herë pritet të kërkojë votën me emrin e Visar Ganiut, edhe pse më herët si kandidat i mundshëm përmendej Adrijan Muça. Edhe tek opozita, gjithnjë e më e qartë duket se kandidat do të jetë Bekim Sali, po as ky ende nuk është emër i konfirmuar. Lëvizja Besa për Çairin ka dy emra të mundshëm, mjekun Ridvan Bajrami, ose Sedat Ramadanin, aktualisht këshilltar në Qytetin e Shkupit. PDSh në Çair ka zyrtarizuar kandidaturën e Misin Gradinajt.

Në Saraj, Dega e BDI-së tashmë ka vendosur që Blerim Bexheti të jetë rikandidojë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor. Nga Aleanca-Alternativa ende nuk dihet, përflitet emri i Bashkim Bakiut. Besa do të dalë me Hasim Murtezanin ose afaristi Islam Ziberin. PDSh-ja nuk dihet.

Në Tearcë, nën logon e BDI-së ka gjasa të kandidojë Nuhi Neziti. Nga ASh-AAA vetëm dihet se kandidat do të kenë biznesmen nga diaspora, emri i të cilit nuk dihet. Besa pritet të garojë me Abdush Demirin, drejtori aktual i Agjencisë së Punësimit ndërsa PDSh ka zyrtarizuar kandidaturën e Daut Eminit.

Në Zhelinë, emrat që përfliten janë Fatmir Izairi nga BDI, Blerim Sejdiu nga Besa, kurse Medin Nazifi tashmë është kandidat zyrtar i PDSh-së.

Në Vrapçishtë, integristët pritet të garojnë me Nebi Rexhepin, ndërsa opozita shqiptare duke e rikandiduar Isen Shabanin. Rikandidim nga ky koalicion pritet të ketë edhe në Bogovinë, me Albon Xhemailin. Këtu ai si kundërkandidat nga integristët mund ta ketë Nurhan Izairin.

Po ashtu në këto zgjedhje mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë përmbysje në komunat që aktualisht drejtohet nga partitë në pushtet, siç është ajo e Haraçinës që drejtohet nga LSDM, Bërvenicës dhe Dollnenit që udhëhiqen nga BDI, apo në Studeniçan, që mbahet si bastion i PDSh-së. Komuna e Çashkës po ashtu pritet të jetë çështje në këto zgjedhje, për të parë nëse partitë shqiptare do të bashkohen rreth një kandidati për ta fituar komunën, apo do ta rrezikojnë duke dalë secili me kandidatë të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *