Arrestohen dhjetë zyrtarë, mes tyre katër drejtorë nga aksioni i madh i kryer në Kosovë

10 persona janë ndaluar në aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Pejës për dyshime të ndërtimeve të paligjshme.

Nga 10 këta zyrtarë, katër janë drejtorë të Urbanizmit në komunat Istog, Pejë, Klinë dhe Deçan, ndërsa të tjerët inspektorë në këto drejtori, njofton Klan Kosova.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës Agim Kurmehaj ka thënë se fokusi ishte te personat zyrtarë që keqpërdorën detyrën e tyre dhe se aksioni erdhi pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtime që janë lejuar nga këta zyrtarë.

“Pas marrjes së këtyre informatave kam caktuar pesë prokurorë që kanë grumbulluar informata rreth këtyre ndërtimeve. Sot kemi shkuar në tri lokacione për bastisje. Janë arrestuar 10 persona zyrtarë., kryesisht të drejtorive dhe inspektorë me dyshimet fillestare se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës. Jemi në fazën e grumbullimit të provave që kanë manipuluar me autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre”

Po ashtu, ai ka thënë se ka pasë edhe konflikt interesi në raport me persona që janë familajrë.

Ndërkaq, prokurorja e rastit Lumturie Murselaj ka thënë se ky është veç fillimi i punës dhe se janë në fazat e para të hetimeve.

Ajo ka thënë se prova janë të gjitha dosjet e subjekteve ekonomike dhe dëshmitë e siguruara në këtë fazë janë të kundërligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *