Studimi: Ndërlikimet nga koronavirusi prekin edhe të rinjtë

Të rriturit më të rinj, të infektuar me koronavirus dhe të shtruar në spital, kanë pothuajse gjasa të njëjta të vuajnë nga ndërlikimet sikurse pacientët mbi 50 vjeç, tregon një studim i ri. Sipas gjetjeve, katër në dhjetë prej këtyre personave, të moshës 19 deri në 49 vjeç, kanë pasur probleme me veshkat, mushkëritë ose organet e tjera, derisa janë trajtuar.

Studimi është kryer nga studiues në shtatë universitete të Mbretërisë së Bashkuar, nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social dhe nga Autoriteti i Shëndetit Publik në Angli.

Për studimin janë përcjellë 73,197 të rritur të të gjitha moshave në 302 spitale të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë valës së parë të koronavirusit në vitin 2020.

“Mesazhi është se kjo nuk është vetëm një sëmundje e të moshuarve dhe e atyre që janë më të dobët”, tha profesori Calum Semple, udhëheqës i studimit.

“Ne po shohim edhe të rinj që vijnë në spital me komplikime të mëdha, disa prej të cilave kërkojnë monitorim të mëtejshëm dhe ndoshta trajtim të mëtejshëm në të ardhmen”, tha ai.

Sipas studimit, rreth gjysma e pacientëve të rritur kanë pësuar së paku një ndërlikim gjatë qëndrimit të tyre në spital.

Më i zakonshmi ishte dëmtimi i veshkave, i pasuar nga dëmtimet në mushkëri dhe zemër./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *