Publikët me pak studentë, privatët po falin notat!

Sipas statistikave të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistika (ESHS), rënia më e madhe e studenteve të rinj është regjistruar në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, në Manastir, ku brenda 10 viteve të fundit – numri i studentëve në vitin e parë është zvogëluar për tre herë. Zvogëlim të studentëve kanë të gjitha universitetet publike, ndërsa ekspertët e arsimit thonë se “privatët kanë kushte më të mira, por po lehtësojnë kalimin e provimeve”

Shkup, 17 korrik – Gara ndërmjet universiteteve publike dhe atyre private, viteve të fundit është rritur ndjeshëm në përpjekje për të rritur numrin e studentëve dhe gjithashtu për të garantuar shtimin e mjeteve financiare. Vitin e kaluar akademik, vetëm 9209 studentë u regjistruan në universitetet publike, që është një rënie drastike prej 45 për qind në krahasim me numrin e studentëve në vitin akademik 2013/2014, kur numri më i madh i studenteve të rinj të regjistruan ishin në universitete publike. Sipas statistikave të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistika (ESHS), rënia më e madhe e përqindjes së studenteve të rinj është regjistruar në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, në Manastir, ku brenda 10 viteve të fundit – numri i studentëve në vitin e parë është zvogëluar për tre herë. Rënie e numrit të studenteve është rritur ndjeshëm edhe në universitetin më të madh në vendin tonë “Shën Kirili dhe Metodi”, në Shkup, i cili në dekadën e fundit ka rreth 3000 studentë më pak të regjistruar në vitin e parë. Derisa gjithnjë e më pak ka studentë në universitetet publike, në universitete private vitin e fundit akademik janë regjistruar 3066 studentë në vitin e parë, numri më i madh në 10 vitet e fundit.

Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup është universiteti privat që në vitin e parë regjistroi dy herë më shumë studentë krahasuar me vitin akademik 2019/2020. Arsyeja e rritjes së numrit të studentëve në universitetet private, sipas ekspertëve të arsimit, është kushtet më të mira dhe lehtësia e kalimit të promivimeve.

Profesori universitar, Xheladin Murati, për gazetën KOHA ka deklaruar se është normale që studentët të kërkojnë kushte më të mira, të kalojnë më lehtë dhe të regjistrohen në universitete private. “Ka dallim të madh në trajtim dhe vlerësim e përparim të studentëve. Numri i madh i universiteteve private ka bërë që cilësia të bie dukshëm. Sa i përket nurit të universiteteve, Maqedonia e Veriut i tejkalon të gjitha normat pedagogjike mbase universitetet janë bërë si shkollat fillore, universitetet themelohen ku të arrijnë dhe kemi diplomim të numrit të madh të studenteve”, shprehet Murati, ndërsa kërkon të shtuar në punën e universiteteve private. “Ato bëjnë reklama të shumta për të tërhequr studentët dhe ekzistojnë edhe shumë faktor dhe probleme të tjera të cilat favorizohen universitetet private”, mendon Murati.

Ndryshe nga profesor Murati, shprehet profesori universitar Izet Zeqiri. Ai për gazetën KOHA thotë se universitetet private po ofrojnë programe më të konkurrueshme, liri akademike dhe procedura më të lehta si gjatë regjistrimit – ashtu edhe gjatë viteve të studimeve. “Gjithashtu edhe gjatë mësimit nga distanca gjatë kohës së virusit korona, universitetet private dolën që të jenë më të përgatitura për të përballuar ndryshimet e kohës”, u shpreh ai. Ndryshe, sipas renditjes nga ueb faqja e njohur ndërkombëtare Weometrics, universiteti më i mirë në vendin tonë është “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili renditet në vendin 2596, i ndjekur nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) i cili ka zënë vendin 9573 dhe i treti është Universiteti i Tetovës i radhitur në vendin 12.203 në nivel botëror. Ndërkohë, universiteti me përformancën më të dobët është Universiteti Evropian, i cili është në vendin 26.525. /Kohamk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *