Qeveria pranon edhe një amendament të deputetes Ilire Dauti, banorët e Strimnicës do të bëhen me ujë të pijshëm

Banorët e fshatit Strimnicë së shpejti do të bëhen me ujë të pijshëm. Këtë e ka njoftuar vetë deputetja nga rradhët e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Ilire Dauti. Ajo në profilin e saj në Facebook ka njoftuar se Qeveria ka pranuar amendamentin ku do të sigurohen fillimisht mjete në vlerë prej 5 milionë denarësh në këtë rishikim buxheti, por me kusht që pjesa tjetër të sigurohet në rishikimin e rradhës, e që në total shuma për këtë projekt do të jetë 10 milion e 450 mijë denarë, për rregullimin e ujit të pijshëm në fshatin Strimnicë, njofton Gazeta Populli.

Ky është amendamenti i disatë me rradhë që propozohet nga deputetja Ilire Dauti dhe që pranohet nga Qeveria, pas atij të shkollës në Leshnicë të Poshtme dhe rrugës Strimnicë-Falisht.

Ky është njoftimi i saj i plotë:

Kalon amendamenti për ujin në Strimnicë, Qeveria refuzon amendamentet për vendbanimet e tjera

“Pranoj që shuma e kërkuar prej 10 milion e 450 mijë denarë për momentin në këtë rebalanc të jetë 5 milion denarë për sigurimin e fondeve për ndërtimin e rezervuarit, pompës dhe pusit të ri për furnizim me ujë të pijshëm, për vendbanimin Strimnicë, Komuna e Zhelinës, mirëpo për ta kërkuar gjysmën tjetër në rishikimin e ardhshëm buxhetor.

Unë i gëzohem sigurisht faktit që këtu u pranua amendamenti me të cilin do të bëhet e mundur që banorët e fshatit Strimnicë të kenë ujë për pije, ose së paku të fillojnë punimet atje, të bëhet një projekt me të gjitha nishanet e nevojshme që do të sillte edhe ditën kur më në fund qytetarët do të kishin ujë për pije, por më duhet të shpreh shqetësimin tim të dyfishtë që e kam. Së pari unë ndjehem e shqetësuar për faktin që ende me amendamentet tona ne duhet të kërkojmë ujë për pije për qytetarët atje.

Shumë vendbanime që ende nuk e kanë ujin për pije, janë të detyruar për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, ujin industrial ta konsumojnë për pije dhe së dyti është shumë e dhimbshme kur sheh se si duart e shumicës parlamentare ngritеn kundër amendamenteve të këtilla ku ne kërkojmë ujë për pije. Pra mirë bëhet që për fshatin Strimnicë do të rregullohet çështja e ujit për pije, por jam e shqetësuar që nuk pranohen amendamentet që po ashtu ujë për pije kërkoj për fshatin Merovë 6 milion denarë, Rogle 8 milion denarë, Pallaticë 24 milion denarë, Uzurmisht e kështu me radhë.

Më vjen shumë keq që po ashtu nuk pranohen amendamentet me të cilat kërkoj të ndërtohet rruga me gjatësi prej 2km nga fshati Pallçisht i poshtëm, që e lidh atë me autostradën Tetovë-Gostivar siç e kanë vendbanimet e tjera atje. Më vjen keq që nuk pranohet përgatitja e dokumentacionit të projekteve për ndërtim të stacionit të filtrimit për Komunën e Bogovinës që e bën edhe ata projekte që janë të mbeten të pa shfrytëzuara. Më vjen keq që nuk pranohet ndërtimi i kanalizimit fekal për shumë vendbanime, siç janë fshati Sedllarcë e epërme, Pallçisht i poshtëm, Kallnik, Siniçan, Pirok, Zherovjan që i takojnë Komunës së Bogovinës, pastaj në Dëbërc në Komunën e Zhelinës e kështu me radhë.

Unë jam shumë e shqetësuar edhe për gjitha amendamentet e tjera të kolegëve të mi të cilët janë amendamente shumë cilësore por të cilat nuk u pranuan sot. Dhe shfrytëzoj rastin për fund të them që në qoftë se sa më shpejtë do të ishin pranuar amendamentet e këtilla të cilat kanë të bëjnë me ekzistencën e qytetarëve atëherë do të mund të kalonim në nivel tjetër të kërkesave për qytetarët./Gazetapopulli.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *