Pasi e fali Bajramin, Erdogani i kërkon të holla ShBA-së

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, u bëri thirrje të martën Shteteve të Bashkuara për t’i plotësuar kushtet financiare, logjistike dhe diplomatike në mënyrë që vendi i tij ta menaxhojë dhe ta ruajë Aeroportin e Kabulit pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani.

Turqia ka ofruar që të dërgojë trupa në këtë aeroport pas tërheqjes së plotë të NATO-s dhe ka zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje për disa javës.
Në anën tjetër, talibanët, të cilët e kanë zgjeruar territorin që e kontrollojnë pas largimit të trupave të NATO-s e ShBA-së, e kanë paralajmëruar Turqinë kundër qëndrimit të trupave të saj në aeroport.

“Nëse këto kushte mund të plotësohen, po mendojmë që ta marrim menaxhimin e Aeroportit të Kabulit”, tha presidenti turk, duke i përmenduar përkrahjen diplomatike për Turqinë dhe dorëzimin e objekteve dhe logjistikës nga ShBA-ja në Afganistan.

“Do të ketë vështirësi serioze financiare dhe administrative. ShBA-ja do ta ofrojë përkrahjen e nevojshme për Turqinë edhe në këtë aspekt”, shtoi Erdogani, pas faljes së namazit të Kurban Bajramit në mëngjesin e së martës.
Turqia shpreson që misioni në Aeroportin e Kabulit do të ndihmojë në përmirësimin e raporteve të tensionuara me Shtetet e Bashkuara për disa çështje, përfshirë blerjen e sistemit raketor rus, S-400, nga Turqia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *