Demokracia në rrezik me “fake news”, lajme të rreme edhe për takime midis dy liderëve partiak. Për kë bëhet fjalë?

Fake news sot nuk paraqet një dukuri të izoluar. Fatkeqësisht, shoqëria jonë sot për çdo ditë përballet me lajmet e rreme të shpërndara nëpërmjet portaleve të ndryshme që kanë për qëllim kryesor përhapjen e dezinformatave, e kësisoj duke dëmtuar reputacionin e dikujt dhe krijuar përçarje.

Së fundmi, në rrjete sociale është shpërndarë një lajm që për titull konstaton një takim midis Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit ditën e djeshme në Tetovë (17.01. 2021). Ky konstatim i titullit në fjalë, nuk përmban ndonjë burim dhe nuk përkon me përmbajtjen e lajmit.

Duke u bazuar nga standardet e verifikimit të lajmeve të rreme dhe duke marrë parasysh se brendia e lajmit nuk përmban ndonjë argument e as nuk i lidh në ndonjë mënyrë liderët në fjalë e kështu duke mos cituar asnjë burim për rastin, mund të konstatohet që titulli then etikën e gazetarisë. 

Poashtu si shembull mund të marrim edhe lajmet e rreme për vaksinën kundër Kovid-19, teoritë konspirative rreth saj e të tjera.

Në politikë pasojat e lajmeve të rreme janë të panumërta. Baltosin figurën e dikujt duke mbjellë urrejtje apo duke shpresuar që t’i devijojnë qytetarët prej së vërtetës. Lajmi i rremë jo vetëm që deformon një të vërtetë duke i dhënë një kahe tjetër një ngjarjeje, por edhe e thurr një gënjeshtër në vetvete.

Fenomeni i lajmeve të rreme nuk është një karakteristikë vetëm e Maqedonisë së Veriut por e mbarë botës ndaj dhe, iniciativa të ndryshme janë marrë në luftimin e informacione. Thirrje për luftë ndaj “fake news” janë bërë edhe në vendin tonë.

Sipas factcheck.org, ata listojnë disa pika që duhet t’i kemi parasysh në zbulimin e lajmeve të rreme:

  • Konsideroni burimin
  • Lexoni përtej titullit
  • Vëreni autorin
  • Cilat janë burimet/mbështetja?
  • Kontrolloni datën
  • Kini kujdes mos është ndonjë satirë gazetarike!
  • Kontrollo mendimet e njëanshme
  • Konsulto eskpertë

Ndërsa, edhe nga shoqëria civile janë bërë thirrje të vazhdueshme dhe ngriten pikëpyetje për sa i përket ndikimit të “fake news”. Në një status publik në Facebook të publikuar më 7 dhjetor 2020, një anëtar i shoqërisë civile, Agon Fejza ka shkruar si vijon:

“Situatë kaotike nga informatat e fallxhorëve inekzistent! 

Maqedonia është në luftë të brendshme me portalet, lajmet dhe postimet ditore që nuk u dihet autori, apo ndonjë link- burim verifikimi se nga vjen dhe në çka është bazuar ajo informatë apo shkrim. 

Ky numër  i portaleve, respektivisht faqeve fiktive me emra të ndryshëm ku thuajse për çdo ditë rritet dhe hutojnë me tema ditore publikun që bazohet në këto lajme të pa verifikuara, ku në raste të veçanta sjellin edhe tensione apo situata shumë të pa pëlqyeshme.

Urgjentisht Ministria e Shoqërisë Informatike dhe institucionet relevante duhet të zbatojë masa ligjore për parandalimin e këtyre lajmeve të rrejshme ( fakenews) sepse …  Ditë të zeza na presin!  af.”

*Teksti i statusit është origjinal dhe nuk është edituar.

Lajmet e rreme janë temë serioze dhe një gazetari hulumtuese tenton t’i faktojë. Ndikimi që i bëhet shoqërisë nëpërmjet lajmeve të rreme është dramatik për një shoqëri të lirë dhe demokratike, duke keqinformuar dhe fabrikuar gjëra të paqena, gjëra të cilat konsiderohen të rëndësishme për debate konstruktive dhe kohezion mes qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *