S’ka vullnet për vënien në funksion të teleferikut “Tetovë-Kodra e Diellit”, autoritetet fajësojnë pandeminë

Të gjitha partitë qeverisëse në programin e tyre parazgjedhor kishin si premtim vendosjen në funksion të teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit, sot që flasim, asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Deillit” thonë se kjo punë do të përfundonte me 20 milionë euro buxhet, por nuk ka vullnet. Nga ana tjetër, Qeveria e RMV-së për Portalb, fajësuan situatën me pandeminë e cila sipas tyre, ka pamundësuar punët për këtë projekt, shkruan Portalb.mk.

Kodra e Diellit nga viti 1962 ka pasur teleferik i cili ka bartur turistët nga Tetova në këtë qendër turistike, aktualisht ky teleferik është i shkatërruar dhe jashtë funksionit. I njëjti, është “peng” i premtimeve parazgjedhore, të çdo partie politike, çdo cikël zgjedhor.

Pas një analize të iniciativës “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” me ekspert të fushës, është vërtetuar se i njëjti teleferik e ka të pamundur të futet në funksion, kjo për shkak se i njëjti është demontuar dhe amortizuar tërësisht.

“Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit i cili fillon me start tek arabati dhe përfundon lartë në Kodrën e Diellit është jashtë funksionit për përdorim, i njëjti nga inxhinier i makinerisë i cili punon në këtë sferë në suaza botërore, në një vizitë të përbashkët me të drejt qendrës në Tetovë, pamë dhe verifikoi se ai lloj i teleferikut nuk mund të hyje në funksion, i njëjti ka qenë i montuar edhe në qendrën e skijimit në Kroaci, dhe tashmë sot ai është i demontuar dhe nuk përdoret pasi që është i amortizuar 100% dhe këtu do të duhet që të ri kontrollohen edhe njëherë të gjitha shtyllat, të gjitha fondamentet e betonit pasi që në shumë raste ka edhe erozione të tokës dhe të bëhet rindërtimi i saj.” tha Hamdi Sulemani nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Megjithatë, ndërtimi i një gondole të re sipas Sulemanit shtetit do ti kushtonte 20 milion euro dhe 1 vit kohë, ai potencoi se për këtë, mjafton vullneti dhe dëshira për të investuar në këtë qendër turistike sepse mundësitë janë.

“Rindërtimi i teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit me gjithë dokumentacionin teknik kushton afër 20 milion euro dhe një periudhë prej 1 viti së bashku me përpilimin e dokumentacionit teknik, ndërtimi, realizimi dhe lëshimi në përdorim. Informatat të cilat i kemi, për kilometrazhën që duhet të bëhet 6,5 km janë nga prodhuesit të cilit po e implementojnë gati çdo vit 2-3 raste të tilla” shtoi Hamdi Sulemani.

Qeveria e RMV-së: Fajin e ka pandemia!

Të pyetur nga Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë se megjithatë ka pasur plan për ndërtimin e kësaj gondole, por i njëjti është anuluar për shkak të situatës me virusin korona në vend.

“Për shkak të krizës me pandeminë e Kovid-19, është anuluar procesi për realizimin e projektit për ndërtimin e gondolës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut qëndron e përkushtuar për zhvillimin e turizmit dimëror dhe malor gjithkund në shtet” deklaruan nga Qeveria e RMV-së.

Shpresat, sipas ekzekutivit ngelen te investitori privat, të cilin ende nuk e kanë zgjedhur si dhe ende nuk është vendosur për modelin final, gjegjësisht se a do të jepet tërësisht në privatizim kjo qendër turistike apo do të zhvillohet me partneritet publiko privat.

“Po shihen mundësitë për modele të ndryshme për zhvillimin e Kodrës së Diellit si qendër turistike rajonale me mundësi për investime private apo partneritet publiko privat e cila do të mundësonte edhe ndërtimin e teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit” thanë nga Qeveria e RMV-së.

Në zgjedhjet e fundit, të gjitha partitë qeverisëse premtuan këtë

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim i pranishëm për të firmosur premtimet e kësaj partie për Kodrën e Diellit ishte Hisen Xhemaili, i cili në mes të tjerash premtoi edhe funksionalizimin e këtij teleferiku.

“Ndërtimi i gondolës nga qyteti në Kodrën e Diellit për të cilën ne tashmë kemi marrë vendimin në qeveri që të ndahen 300 mijë euro vlerë të parave për përpunimin e projektit urbanistik” thuhet në premtim, ku nënshkruese është BDI-ja.

Programin e plotë zgjedhor të BDI-së mund ta lexoni: KËTU, premtimet e Kodrës së Diellit nga faqe 114 deri në faqen 116.

Edhe në programin e koalicionit “Mundemi” mes Lëvizjes BESA dhe Lidhjes Social Demokrate (LSDM) qëndron ky premtim.

“Vënien në funksion të teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit si dhe hapjen e më shumë qendrave turistike në Malin Sharr si dhe mbështetjen turizmit malor duke shfrytëzuar IPA fondet për bashkëpunim ndër kufitar” shkruan në programin e koalicionit “Mundemi”.

Koalicioni LSDM-BESA me emrin “Mundemi” që nuk ishte prezent ka premtuar për Kodrën e Diellit. KËTU (faqe 14) mund ta lexoni çka premtojnë ata për këtë qendër turistike.

Theksojmë se edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është nënshkruese e dokumentit të përgatitur nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” ku mes të tjerash, kërkohet vendosja në funksion e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit.

Programin e plotë zgjedhor të PDSH-së mund ta lexoni: KËTU, premtimin për Kodrën e Diellit në faqen 51.

Republikën e Serbisë për të njëjtin projekt, nuk e “pengoi” pandemia që ta realizoje

Me datë 14 janar në Zlatibor të Serbisë është lëshuar në funksion gondola më e madhe në botë, me një gjatësi prej gjithsej 9 kilometra dhe pamje mahnitëse malore.

Ndërtimi i kësaj gondole ka filluar në vitin 2016 dhe ka kushtuar gjithsej 13 milion euro. Ndërkaq, për financimin e të njëjtës është kujdesur tërësisht Komuna e Çajetinës, informojnë nga Al Jazeera.

Kjo sipas autoriteteve serbe, pritet që ta bëje Zlatiborin si destinacion më të vizituar jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon me gjithsej miliona vizitorë në vit.

Nga ana tjetër, vlen të theksohet gondola Tetovë-Kodra e Diellit është 2,5 kilometra më e shkurtër si dhe infrastrukturën e ka të gatshme, por nuk ndërmerren hapa për realizimin e tij kurse Zlatibor është thjesht një fshat i vogël i Serbisë, i cili nuk e ka potencialin e Kodrës së Diellit.

Ndryshe, vitin e kaluar, mbi 1.500 persona nënshkruan peticion për rikthimin e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit. Askush deri sot nuk i është përgjigjur kërkesës së këtyre qytetarëve.

Rikujtojmë se në vitin 1962, u ndërtua kjo gondolë dhe filloi me punë pjesa e parë e teleferikut deri në Lisec, me gjatësi 3209 metra. Tre vite pas vënies në punë të teleferiku Tetovë-Lisec, në vitin 1965 u lëshua në përdorim edhe pjesa e dytë e këtij teleferiku Lisec-Kodër Dielli, në gjatësi 2991 metra. Teleferiku kishte 100 kabina, me kapacitet për 400 persona. Koha e udhëtimit ishte 40 minuta. 103 000 udhëtarë përdorën teleferikun nga data 8 Mars kur filloi me punë deri në dhjetor të të njejtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *