Fatime Fetai kërkon burg të përjetshëm në rastin “Monstra”

Prokurorja Fatime Fetai e cila po e udhëheq rastin “Monstra”, nga analiza e fakteve, gjegjësisht nga ekspertiza dhe dëshmitë, i vërtetoi gjykatës se vetura “Opel Omega” ka qenë e përdorur për transport gjatë ekzekutimit të vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovcës. Ajo theksoi se vetura nuk ka qenë e MPB-së ashtu siç pretendonte njëri nga dëshmitarët e rastit, duke shtuar se atje janë gjetur gjurmë biologjike nga i akuzuari Alil Demiri në mbështetësen e kokës por edhe truall nga liqeni i Smillkovcës.

“Është e pavërtetë teza nga aspekti juridik faktik dhe logjik”, tha Fatime Fetai për pretendimet e dëshmitarit se MPB është pronare e veturës “Opell Omega”, duke sqaruar se ai e ka njohur veturën vetëm nga ngjyra, por nuk ka dhënë detaje tjera për atë, as regjistrimin e veturës.

Prokurorja Fetai sqaroi se trupat e viktimave nuk janë sjellur te liqeni i Smillkovcës, siç është pretenduar gjatë procesit gjyqësor dhe në opinion. Ajo sqaroi se gjurmët, marrja e tyre, transporti, ekspertiza e vulosin pretendimin se vrasjet janë bërë në vendin që janë gjetur kufomat.

Për atë se Alil Demiri, Agim dhe Afrim Ismajloviç i kanë bërë vrasjet, Fatime Fetai tha se ka dëshmi që konfirmohen me fakte materiale dhe dëshmi para gjykatës.

Fetai kërkoi që të gjithë të akuzuarit të gjykohen.

“Nuk do të doja të jem më asnjëherë duke ushtruar detyrën si prokurorë publik që të jap fjalën përfundimtare pë raste të tilla. Personat për të cilët kërkohet të gjykohen janë përgjegjës për veprat për të cilat ngarkohen” tha Fetai në fillim të fjalës përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *