Rasti “Monstra”, Fetai në fjalën e fundit: S’ka montim, burgim të përjetshëm për tre të akuzuar

Prokurorja Fatime Fetai sot ka folur gjatë fjalëve përfundimtare për rastin “Monstra”, respektivisht për vrasjes e pesëfishte në Liqenin e Smilkovës me 12 prill të vitit 2012. 

Prokurorja tha se donte të përgënjeshtronte disa teori të përhapura, respektivisht ajo që automjeti “Opel Omega” i përkiste policisë dhe se ishte vendosur në vendngjarje, dhe se vrasjet ishin kryer diku tjetër, por edhe teoria që ish-kreu i Kuvendit Trajko Veljanoski ishte përfshirë në rastin në fjalë.

“U përhap gjithashtu informacioni se fëmijët ishin në kontakt të afërt me djalin dhe vajzën e Trajko Veljanoskit me të cilët ishin shoqëruar shpesh dhe gjoja kjo është arsyeja pse u likuiduan. Asnjë provë nuk është propozuar për një gjë të tillë deri më tani, as nuk ka pasur ndonjë indikacion që fëmijët e vrarë njihnin fëmijët e një zyrtari të lartë, aq më pak që kishin ndonjë borxh”, tha Fetai.

Ajo shtoi se sipas dëshmive të gjetura në vendngjarje, konfirmohet se vrasja ka ndodhur aty në Liqenin e SMillkovcës.

Fetai pohon se në veturë janë gjetur shenja biologjike nga i akuzuari Alil Demiri por edhe baltë nga vendi i ngjarjes.

Sipas Fetait, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq janë autorët e vrasjes së pesëfishtë, ndërsa Haki Aziri sipas saj u ka ndihmuar. Fejzi Aziri është i akuzuar se u ka ndihmuar atyre që të ikin.

“Fejzi Aziri e ka ditur se kanë kryer vrasje, terrorizëm, por edhe përkundër kësaj ai u ka organizuar që të ikin nga Maqedonia në Kosovë”, tha Fetai, raporton SHENJA.

Ajo tha se ka dëshmi të forta se kryerësit e vrasjes janë Alil Demiri, Agim dhe Afrim Ismailoviq, dhe për ta, Fetai kërkon burgim të përjetshëm.

Për të akuzuarin Sami Luta, prokurorja Fetai tha se aktakuza është tërhjekur ngase nuk ka prova.

Për Fetain nuk është e rëndësishme se me çfarë arme janë vrarë të rinjtë. Ajo thotë se ka patur një marrëveshje mes të akuzuarve si ta kryejnë vrasjen dhe si të shkojnë deri në vendngjarje.

Për vrasjen e pesëfishtë, ku u vranë pesë djemtë Kire Traiçkovski, FIlip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, në procedurën paraprake për rastin me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata supreme në dhjetor të vitit 2017 i hoqi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa të kujdesit. Pas heqjes së aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP dhe lënda u kthye në rigjykim.

Rastin “Monstra” e udhëheqë gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të aktakuzës janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *