KQZ-së i rekomandohet të certifikojë listat siç janë sjellur nga partitë

Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve ka marrë propozimin nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Ky propozim, sipas përfaqësuesit të kësaj zyre , Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vitet e fundit.

Buleshkaj ka theksuar se Zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

“Ka kandidatë që mund të kenë probleme. Zyra s’ka mundur të vërtetojë për problemet e tyre. Kemi pas dyshime. Është qasje e gjithëpërfshirjes, sepse nuk kemi kapacitete që ta vlerësojmë saktë nëse një kandidat mund të ketë probleme”, theksoi Buleshkaj”.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka theksuar që rekomandimin e Zyrës për Regjistrim ka paqartësi. Siç ka theksuar ajo, kjo zyrë ka dërguar kërkesat për rekomandim në institucione relevante dhe pas marrjes së përgjigjeve është kërkuar nga subjektet politike të ndërrojnë apo zëvendësojnë kandidatët që kanë ndërruar kriteret.

Ajo theksoi që rekomandimi i Zyrës për Regjistrim, nuk tregon se kush i përmbushë kriteret për certifikim dhe kush jo.

“Kam një rekomandim i cili në fakt nuk shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret apo jo. Ne s’kemi të qartë nga ky rekomandim se kush i përmbush e kush jo. Kjo është detyra e parë e zyrës”, ka thënë Daka.

Perfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, po insistojnë që sot të merret një vendim lidhur me certifikimin e kandidatëve, në të kundërten, sic thanë, “ka tendencë për shtyrjen e zgjedhjeve”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët i është referuar vlerësimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili e pamundëson certifikimin e 47 kandidatëve për deputetë.

Në rekomandimin e Këshilli Gjyqësor i Kosovës për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), thuhet se nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në këtë rekomandim gjithashtu është thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.

Rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese , në dhjetor të vitit 2020, ku është thënë se sipas Ligjit për zgjedhje, asnjë person që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *