Kajtazi: “Në këtë vend mund të ketë dhunë në qoftë se nuk certifikohet lista e VV-së”

Dilema e institucioneve për certifikimin apo jo të listës së Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë mund ta çojë vendin drejt dhunës, ka thënë sot Vehbi Kajtazi, kryredaktori i Gazetës Insajderi.

Në panelin e studios televizive të Debat Plus në RTV Dukagjini, Kajtazi ka shprehur shqetësim se rruga në të cilën është futur sot Lëvizja Vetëvendosje, në kërkim të certifikimit të listës së saj për deputetë, mund të sjell dhunë.

Kajtazi ka deklaruar se vendimet e mundshme të Panelit Zgjedhor për Parashtesa dhe Parashtesa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme kundër certifikimit të listës së VV-së për deputetë, janë paralajmërim për krijimin e një klime të tensionuar në Kosovë.

“Tash, kushdo që pret rezultat tjetër – të drejtë po flas – nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme, për mua e ka gabim. Ata janë të obliguar për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kajtazi.

Sipas tij, shumë paqartësi politike mund të krijohen lidhur me kontestimin e VV-së ndaj vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e listës për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe dy partive tjera: AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

“Dilema është çka ndodhë edhe nëse këto dy institucione të pavarura vendosin njëjtë; ku, në çfarë situate politike po shkojmë ne? Në këtë vend mund të ketë dhunë. Ky është një paralajmërim që në këtë vend do të ketë dhunë. Do të ketë dhunë në qoftë se nuk certifikohet lista e Vetëvendosjes për deputetë”, ka thënë kryeredaktori i Gazetës Insajderi.

KQZ-ja nuk e ka certifikuar sot listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, pas një mbledhje që zgjati rreth pesë orë. Mbledhja u zhvillua nën tension dhe shprehje të ashpra të mospajtimeve mes anëtarëve të KQZ-së. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *