Gjyqi kundër Trump-it do të nis më 8 shkurt

Gjyqi në Senatin amerikan për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me akuzat për “nxitje të kryengritjes” për shkak të dhunës vdekjeprurëse në Kongres, do të nisë më 8 shkurt.
Lideri i shumicës në Senat, demokrati, Chuck Schumer, ka bërë këtë njoftim pasi ka diskutuar këtë çështje me republikanët.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi planifikon të dërgojë padinë kundër Trumpit në Senat më 25 janar, për të nisur procedurat fillestare në ditën pasuese.
“Gjyqi do të mbahet në Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe do të ketë votim nëse duhet të dënohet presidenti”, ka thënë Schumer në një fjalim në dhomën e Senatit.

Advertisement

Trump – presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim, dhe i pari që gjykohet pasi i ka skaduar mandati – është nisur drejt Floridas më 20 janar, duke mos marrë pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij Joe Biden.
Sulmi ndaj Kongresit më 6 janar, nga protestuesit pro Trumpit ka rezultuar me vdekjen e pesë personave, duke përfshirë një zyrtar policor.
Dhuna në Kongres ka shpërthyer pasi Trump ka pretenduar disa herë – pa ofruar fakte – se ai ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi është manipuluar./REL

Advertisement

Leave a Reply