Hoti prezanton “Vizionin e LDK-së për SHTET”: E kthyem Kosovën në nyje gjeo-politike

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Avdullah Hoti, ka prezantuar një video material, në të cilën janë shpalosur punët që i ka kryer ai sa ishte në krye të ekzekutivit.

Ai ju drejtohet qytetarëve, duke iu thënë se ka shërbyer si kryeministër i tyre në periudhën me të vështirë të qeverisjes që nga viti 1999.

Hoti thotë se me ekipin e tij ka menaxhuar me sukses procese që kanë sfiduar shtetet më të zhvilluara të botës, siç është pandemia Covid-19.

“Ne edhe pse me resurse të pakta shëndetësore, radhitemi ndër vendet që kemi menaxhuar më së miri pandeminë, që gjunjëzojë botë. E për këtë i falënderoj gjithë ata që ende janë në vijën e parë. Duke ndihmuar qytetarë dhe biznese, kemi arritur të përgjysmojmë afektin negativ të pandemisë në ekonomi. E ndihmuam shëndetësinë, arsimin, komunat, bujqësinë, gratë në biznes, qytetarët në kushte të vështira, pensionistët, familjet në asistencë sociale”, ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, me veprimet e tyre, qytetari po e ndjenë kujdesin e shtetit, dhe se kjo është e natyrshme meqë janë në shërbim të tyre.

“Kemi rivendosur miqësitë me vendet mike. E kemi kthyer shthetin në kursin e integrimeve të natyrshme euro-atlantike. Sot vajzat dhe djemtë tanë po ndjehen pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqësore – një ëndërr 30 vjeçare, e bërë realitet”, theksoi Hoti.

Ndërsa, ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Washington, me prezencën e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Kemi nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, që e kthen shtetin tonë në nyje gjeo-politike. Kemi avancuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian në një nivel tjetër, duke dakorduar kontratën e re të reformave evorpiane që na trason rrugën drejt integrimeve dhe liberalizimit të vizave”, u shpreh Hoti.

Mbi të gjithë, Hoti tha se kanë qeverisur me integritet, maturi, gjithnjë sipas ligjit duke promovuar kohëzion shoqëror. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *