Kapen 100 kilogramë marijuanë, tre të arrestuar

Punonjës të policisë nga Sektori për Tregti të Paligjshme të Drogave, Armëve dhe Substancave të Rrezikshme në bashkëpunim me Departamentin për Operacione Speciale të Policisë, Departamentin për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë të SPB Veles dhe SPB Shkup, gjatë ditës së djeshme pas një hetimi të kryer më parë në lidhje me një kamion i cili kishte transportuar marihuanë rreth një muaj më parë, dhe ishte aksidentuar duke dalë nga rruga në drejtimin Shkup-Veles, kapën rreth 100 kilogramë marijuanë dhe arrestuan tre persona, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Siç raportohet nga Ministria e Brendshme, në stacionin pagesor Sopot në autostradën “Miqësia” nga ana e policisë janë marrë masa dhe aktivitete për të ndaluar një automjet “BMW” me targa të Shkupit i drejtuar nga J.B, dhe me pasagjer vëllai i tij S.B nga fshati Bllacë e Epërme, por shoferi nuk ka ndaluar dhe është përpjekur të ikë, duke dëmtuar një automjet të policisë dhe duke rrëzuar një kolonë metalike të Ndërmarrjes Publike për rrugët e shtetit.

“Pasi u morën masa shtesë, automjeti u ndalua dhe të dy personat u privuan nga liria, dhe gjatë kontrollit në automjet dhe bagazh, janë gjetur thasë që përmbanin rreth 100 kilogramë marijuanë. Gjithashtu, është ndaluar edhe M.I. nga Vizbegu, i ashtuquajtur “Pastrues” i cili ka pasur për detyrë të siguronte transportin e drogës. Gjatë kontrollit në shtëpinë e J.B. është gjetur një pushkë gjysmë automatike, për të cilën gjithashtu do të ngrihet kallëzim penal për krim sipas nenit 396 të Kodit Penal.

Hetimi vazhdon dhe zgjerohet edhe në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike-Veles. Ne marrim masa dhe aktivitete shtesë për zbardhjen e plotë të rastit dhe konfirmimin nëse ka përfshirje të personave tjerë në kryerjen e krimit”, shtuan nga Ministria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *