Enis Sulstarova: Vetëvendosje! – Lajmëtare e pranverës shqiptare

“Mesazhi kryesor që qeverisja e ardhshme e Kosovës do të jepte në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut është se shqiptarët meritojnë të kenë qeveri të mira dhe politika në shërbim të zhvillimit. Për katër vite nuk pritet të ndodhin mrekullira, por pika të realizueshme janë qeverisje e përgjegjshme dhe llogaridhënëse, largime nga administrata të të paaftëve dhe të korruptuarve, më shumë vëmendje për prodhuesit e mesëm e të vegjël, mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare dhe bashkëpunim brendashqiptar. Një qeverisje normale në Prishtinë do të na ndërgjegjësojë edhe më shumë se në Tiranë e Shkup politika shqiptare nuk është aspak normale”, thotë Sulstarova. 

Intervistoi: Ismail SINANI

Pedagogu edhe njohësi i zhvillimeve politike në Tiranë, Enis Sulstarova, në intervistën e zhvilluar flet për pritshmëritë shqiptare pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë. Ai shprehet më se i bindur se qeverisja “Kurti 2” do të sjellë një frymë të re në politikëbërjen e Kosovës, me një impakt më të gjerë në trevat shqiptare në rajon. Sulstarova i sqaron edhe “krizat diplomatike” që ndodhën në vitin që e lamë pas në kohën e administratës së, tashmë, ish presidentit Trump, por edhe për raportet me Serbinë dhe pozicionin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në gjithë këtë proces.

SHENJA: Të gjitha sondazhet e realizuara deri më tani parashohin se në zgjedhjet e 14 shkurtit Kosova do të përfundojë me një strukturë të re qeverisëse politike, e cila në njëfarë mënyrë do t’i japë fund një “stili” tashmë të vjetër politik. Sipas jush, çfarë do të thotë kjo për shqiptarët e Kosovës?

SULSTAROVA: Unë besoj se Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta fitojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve në Kuvend që do t’i mundësojnë të qeverisë e vetme për një mandat të plotë 4-vjeçar. Kjo do të ndodhte për herë të parë në sistemin politik të Republikës së Kosovës dhe stabiliteti i qeverisjes do të pasqyrohet pozitivisht në sektorët e tjerë, sidomos në ekonomi dhe politikë të jashtme. Ju keni të drejtë kur thoni se qeverisja e re, nën drejtimin e Albin Kurtit, do t’i japë fund stilit të vjetër të të bërit politikë. Unë mendoj që kjo do të jetë e vërtetë jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për politikën shqiptare kudo. Për një kohë të gjatë, ne, shqiptarët, kudo në trevat tona, jemi mësuar me ndërrimin e njerëzve në pushtet, ndërkohë që politikat kanë vijuar pak a shumë njëlloj: privatizime të pronës publike, tenderë publikë te sipërmarrjet e klientëve të partisë, favorizime në emërime të posteve publike, korrupsion të përgjithshëm dhe kompleks inferioriteti në marrëdhëniet me popujt fqinjë. Qeverisja e kryeministrit Kurti do të angazhohet në luftimin e korrupsionit të çdo forme, do të marrë masa për të përkrahur prodhimin vendas, do të financojë nga buxheti projekte që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe, çfarë është më e rëndësishme, do të ketë më shumë vëmendje ndaj shtresave të varfra. Në politikën e jashtme do të ketë një kthesë rrënjësore në raport me Serbinë dhe një punë sistematike në bashkëpunimet me Republikën e Shqipërisë, që shpresoj të ketë një kundërpërgjigje pozitive edhe nga qeveria që do të krijohet pas zgjedhjeve të 25 prillit. Marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian do të forcohen akoma më shumë. Energjia pozitive që do të çlirohet nga ekzekutivi do të përhapet në administratë dhe në mbarë shoqërinë, duke bërë që qytetarëve t’u kthehet shpresa se një jetesë me nder dhe me dinjitet është e mundur për ta dhe për fëmijët e tyre. Kosova frymën e re do t’ia ngjisë edhe shqiptarëve matanë kufijve të saj.

SHENJA: Kur flitet për konceptin politik të Vetëvendosjes, krijohet përshtypja se blloku tjetër politik në Kosovë, pa Vjosa Osmanin, kanë pasur një marrëveshje të heshtur për t’u bërë bashkë kundër VV-së e Albin Kurtit në veçanti, ndërsa tani secila parti jep sinjale se pas zgjedhjeve dëshiron të qeverisë bashkë me VV-në. Si e shpjegoni këtë qasje të subjekteve të tjera ndaj VV-së, në përgjithësi, dhe Albin Kurtit, në veçanti?

SULSTAROVA: Ai që ju e quani “bllok politik”, ndërsa unë në shkrime në revistën “Shenja” e kam quajtur “klika politike”, është përpjekur ta ndalë marshimin e Lëvizjes, por vetëm sa e ka ngadalësuar. Klika do të dojë sërish që të “ngjyejë” gishtat në “tepsinë” e pushtetit, sepse politikanët e vjetër kështu e shohin administratën publike dhe buxhetin publik. Prandaj është shumë e rëndësishme që Lëvizja të jetë në gjendje të qeverisë e vetme. Ka ardhur koha që qytetarët e Republikës së Kosovës ta shënojnë më 14 shkurt se cikli i klikës është mbyllur njëherë e mirë. Kosova nuk mund të vijojë më të qeveriset nga politikanë të skaduar dhe pa përkrahje popullore si Hoti, Haradinaj dhe Hoxhaj. Dalja në opozitë do t’u shërbejë partive të tjera që t’i freskojnë programet politike e drejtuesit e tyre dhe të rithemelojnë marrëdhëniet e tyre me zgjedhësit. Nuk mund të dalësh më para qytetarëve dhe t’ua kërkosh votën vetëm në emër të Rugovës ose të Luftës Çlirimtare, pa treguar se çfarë zgjidhje do t’u japësh problemeve të mëdha që ka vendi. Mërgata shqiptare është një tregues me rëndësi, sepse, pavarësisht se sa nga shqiptarët jashtë Kosovës arrijnë të votojnë, ajo ka përcjellë frymën përparimtare në atdhe. Ashtu sikur dikur ishte pas LDK-së e qëndresës paqësore, ashtu si më vonë u hodh masivisht në Luftën Çlirimtare, po ashtu tani mërgata po organizohet për të sjellë në qeverisje Lëvizjen Vetëvendosje!

SHENJA: Një tipar që e ka dalluar këtë organizatë është “kokëfortësia politike” në raport edhe me ndërkombëtarët. Shembull e kemi edhe rrëzimin e saj nga pushteti pikërisht për shkak se “nuk lëshoi pe”. Ju si njohës i zhvillimeve në Kosovë, por edhe brenda Vetëvendosjes, si i vlerësoni këto parime politike që në të kaluarën u pa se në një rajon shumë të brishtë, siç është Ballkani, mund shumë lehtë të të dërgojnë në opozitë?

SULSTAROVA: Pyetjes suaj nuk mund t’i përgjigjem si “analist” i zhvillimeve në Kosovë, por si aktivist i bashkimit kombëtar. Çdo lëshim që Kosova ka bërë në dëm të sovranitetit të saj e kam parë si shmangie nga rruga e bashkimit me Shqipërinë, prandaj kam qenë gjithnjë me “kokëfortët” në Kosovë që kanë bërë qëndresë. Po kaq kritik kam qenë dhe jam edhe ndaj politikave rajonale të Shqipërisë që kanë shpërfillur Kosovën, çështjen çame ose interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës, Mal të Zi. Jam me “kokëfortët” në Shqipëri, që po kundërshtojnë allishverishet e Ramës me Greqinë për Detin Jon. Sa herë që sovraniteti dhe interesat kombëtare nxirren në pazar, “kokëfortësia” është sjellja e vetme e lejueshme; alternativat të shpien drejt tradhtisë. Dalja në opozitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për shkakun e vendosjes së reciprocitetit të plotë me Serbinë i bëri nder këtij subjekti. Reciprociteti ishte politika e duhur e konfirmuar edhe nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Turpi u mbeti atyre që e përmbysën vullnetin e popullit me votim të paligjshëm në Kuvend dhe të ndihmuar nga vendimi i padrejtë i Gjykatës Kushtetuese, ata që hoqën masat e reciprocitetit, që hoqën dorë nga aplikimi në organizatat ndërkombëtare, sepse këto i kërkonte Serbia dhe i miratonte edhe Trump-i. Kur mbron parimet, sigurisht që do të pengohesh dhe rrëzohesh disa herë, sepse nuk është aspak e lehtë të mbrosh parimet kur të tjerët në politikë i shkelin për hir të pushtetit. Mirëpo, kur vjen dita që ti fiton, fitoren nuk ia detyron kompromiseve që ke bërë me të keqen, nuk je peng i gabimeve të së kaluarës dhe je i gatshëm të punosh sipas parimeve që ke mbrojtur. Shihni atë që po ndodh me Thaçin. Të gjitha kompromiset që ai ka bërë – Zajednica, dhënia e 8,000 hektarëve Malit të Zi, Gjykata Speciale, tentativa për “shkëmbime” territoriale etj., – nuk e shpëtuan nga ajo së cilës ai i druhej më shumë, pra gjykimit të tij nga një gjykatë ndërkombëtare. Por, të gjitha këto vendime të gabuara që ai ka shtyrë përpara, i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës.

SHENJA: Shpresat e shqiptarëve janë të lidhura fort me administratën e re amerikane. Por, njëkohësisht ekziston edhe droja se po kjo administratë mund të insistojë në ndonjë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit në disfavor të Kosovës. Zaten nëse u bëhet një retrospektivë të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë pas shpalljes së pavarësisë, shihet se kanë qenë në dëm të shqiptarëve. Nisur nga ky fakt, si do të pozicionohej VV-ja apo hipotetikisht Qeveria “Kurti 2” kur do të vijnë në shprehje “temat e nxehta”?

SULSTAROVA: Të mos harrojmë se shpallja e pavarësisë së Kosovës brenda kuadrit të Planit Ahtisari ishte në dëm të shqiptarëve, kuptohet jo pavarësia në vetvete, por kufizimet e sovranitetit me pozitën e privilegjuar e pakicës serbe, decentralizimin në vija etnike, ekstraterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse, pengimin e bashkimit me Shqipërinë etj. Me një fjalë, ishte dhe është “pavarësi e kufizuar”, një kontradiktë në vetvete, por që atëherë shumë shqiptarëve iu duk se ishte kompromisi i fundit që duhej bërë për të pasur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Nuk ndodhi kështu. Serbia po hiqet si viktimë dhe ka gjetur mirëkuptimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa historia është përsëritur me lëshime të tjera skandaloze nga ana e Kosovës, derisa erdhëm te plani i vjetër serb për copëtim territorial të Kosovës. Edhe pse u duk se ky plan gjeti mbështetje te administrata Trump, në fund vetë emisari amerikan Grenell u detyrua të deklaronte se në Uashington nuk do të diskutohej për shkëmbime territoriale. Sigurisht që deklarata erdhi si pasojë e kundërshtimit të qeverisë Kurti dhe të një pjese të mirë të diplomacisë europiane. Administrata e presidentit Biden ka premtuar se do të synojë zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës dhe unë jam optimist se ajo do ta dëgjojë edhe qëndrimin e kërkesat e Kosovës tani që Kurti do t’i bëjë ato të ditura në çdo forum ndërkombëtar. Ne shqiptarët nuk kemi pse të kemi turp nga e vërteta se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe se i takon asaj që, përveç njohjes, t’i kërkojë falje Kosovës dhe të ndërmarrë angazhime ndërkombëtare për kompensimet që duhet t’ia bëjë Kosovës. Serbia nuk ka se çfarë kërkon më në Kosovë. Të drejtat e pakicës serbe janë detyrime që Kosova i ka sipas rendit kushtetues dhe të drejtave e parimeve ndërkombëtare. Nuk pres tjetër politikë të jashtme të kryeministrit Kurti në raport me Serbinë dhe ai është zotuar se do ta ndjekë këtë linjë. Ne nuk duhet të përpiqemi të themi vetëm atë që ne mendojmë se do t’i pëlqejë administratës Biden, por duhet të themi krejt qëndrimin tonë në raport me Serbinë dhe krimet e saj.

SHENJA: Para disa ditësh nga VV pati paralajmërime të serishme se do të rikthehet reciprociteti me Serbinë. A nuk është kjo stërkëmbës që vetëm se do ta pengonte këtë subjekt në rrugëtimin e saj?

SULSTAROVA: Jo, reciprociteti është politika e vetme e drejtë ndaj Serbisë. Madje, jemi të vonuar, sepse këtë linjë Kosova duhej ta ndiqte qysh nga shkurti i vitit 2008.

SHENJA: “Zajednica” apo shkëmbimi i territoreve? Cila do të ishte më e pranueshme për ju, pasi që nga përvoja e deritanishme është më se e qartë se Kosova do të përballet mes dy zgjedhjeve apo dy opsioneve?

SULSTAROVA: Zajednica është hedhur poshtë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk mund të ketë shoqata të komunave me kompetenca ekzekutive dhe legjislative. Shkëmbimi territorial ka qenë një plan që Vuçiqi dhe Thaçi, edhe me dijeninë e pranimin e Ramës, e kanë diskutuar në mjedise diplomatike, por Vuçiqi vetë deklaroi se nuk gjeti mbështetje ndërkombëtare, Thaçi tani është i pandehur për krime lufte, ndërsa Rama nuk besoj se do të jetë kryeministër pas 25 prillit 2021. Qeveria Kurti nuk do ta marrë në konsideratë asnjërin nga “opsionet”, sepse realisht nuk janë të tillë.

SHENJA: Deri para dy vjetësh ka qenë thuajse e pamundur të dëgjohej ndonjë politikan shqiptar në gjithë rajonin që do të shprehte ndonjë mendim ndryshe ose akuzues për ndonjë diplomat të caktuar perëndimor. Bota tashmë po ndryshon. Ndikimet gjeopolitike e kanë rritur viskozitetin. Sipas jush, si do të duhet në këtë rast të pozicionohej Kosova karshi SHBA-së dhe sidomos Bashkimit Europian, i cili dorën në zemër me çështjen e (mos)liberalizimit të vizave, nuk u ka dhënë asnjë shkëndijë shprese shqiptarëve të Kosovës për t’u ndjere pjesë e “familjes së madhe europiane”?

SULSTAROVA: Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë se si të pozicionohen ndryshe nga ç’kanë bërë deri tani. Nuk mjafton ta duam integrimin europian, por duhet të rrisim standardin e jetesës për veten tonë. Vërtet Bashkimi Europian gaboi kur e kushtëzoi liberalizimin e vizave me Kosovën me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por në krahun tjetër Kosova duhej të kishte bërë më shumë për kushtin tjetër, atë të shtetit ligjor. Shteti në Kosovë vijon të jetë i kapur nga klika e politikanëve të vjetër, të cilët, së bashku me një grusht sipërmarrësish, po e zhvatin buxhetin e Kosovës. Standardet europiane nuk janë fjalë të bukura, por janë kritere reale që duhen plotësuar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Mund të ketë ngecje të zgjerimit të Bashkimit Europian për arsye të brendshme të tij, por kjo nuk i pengon shtetet ballkanike që t’i plotësojnë standardet europiane, sepse një jetesë më të mirë e të dinjitetshme, mbrojtje nga ligji dhe dënim të zyrtarëve të korruptuar i kërkojnë vetë qytetarët e këtyre shteteve dhe këto duhen bërë për ta, jo vetëm për Europën.

SHENJA: Ndryshimi i pritur në Kosovë pa dyshim që “teknikisht” do të duhej të kishte efekt edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Çfarë mesazhi mund të dërgojë në Tiranë dhe Shkup ky ndryshim i pritur në Prishtinë?

SULSTAROVA: Mesazhi kryesor që qeverisja e ardhshme e Kosovës do të jepte në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut është se shqiptarët meritojnë të kenë qeveri të mira dhe politika në shërbim të zhvillimit. Për katër vite nuk pritet të ndodhin mrekullira, por pika të realizueshme janë qeverisje e përgjegjshme dhe llogaridhënëse, largime nga administrata të të paaftëve dhe të korruptuarve, më shumë vëmendje për prodhuesit e mesëm e të vegjël, mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare dhe bashkëpunim brendashqiptar. Një qeverisje normale në Prishtinë do të na ndërgjegjësojë edhe më shumë se në Tiranë e Shkup politika shqiptare nuk është aspak normale.

SHENJA: Në prag të festave të fundvitit, Albin Kurti, duke iu drejtuar anëtarësisë, tha se “Nuk duhet të jemi të fortë pa qenë edhe të fuqishëm. Të pandryshueshme duhet t´i mbajmë vetëm parimet dhe idealet. Aspiratën e bashkimit kombëtar dhe synimin për shtet të drejtë e shoqëri të zhvilluar duhet ta mbajmë të pandryshuar, e jo vetet tona”. A mund të ngjallë frikë kjo ide (aspirata e bashkimit kombëtar) në Bruksel dhe Uashington?

SULSTAROVA: Frikë mund të ngjallë në Beograd e Athinë, por jo në Bruksel e Uashington. Të paktën në Bruksel nuk besoj se bashkimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan ka po aq peshë sa ka largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Çdo prishje e status quo-së krijon kokëçarje për diplomatët, prandaj besoj se edhe diplomacia ndërkombëtare do ta pranojë idenë e bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës kur ajo të bindet se nuk mund ta ndalë dot. Siç nuk mund të ndalte pavarësinë e Kosovës, por e pranoi brenda Paketës Ahtisari. Siç do ta pranojë nesër bashkimin politik të ishullit të Irlandës. Prandaj, më parë duhet që ideja e bashkimit të bëhet hegjemonike në Shqipëri e Kosovë, ta shtrijmë bashkimin institucional kudo ku mundemi.

SHENJA: Ku shpie ideja e kosovarizmit?

SULSTAROVA: Në thellim të përçarjes së shqiptarëve. Për ca kohë duhet të kemi Republikë të Kosovës, por pa kosovarizëm, sikurse duhet të kemi një Republikë të Shqipërisë në funksion të idesë së bashkimit kombëtar. Veprimet e pabashkërenduara të dy shteteve, sjellja e tyre sikur janë të vetëmjaftueshme, veç dëme i sjellin kombit tonë.

SHENJA: Cila mund të jetë perspektiva e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në zhvillimet e reja në Shqipëri me rolin e Ramës, duke i pasur parasysh marrëdhëniet jo edhe shumë të mira Rama – Kurti?A pritet një betejë mes Ramës e Albinit për dominim të gjeografisë shqiptare?

SULSTAROVA: Shpresoj që Rama nuk do të jetë më kryeministër pas 25 prillit, kjo për të mirën e Shqipërisë. Sidoqoftë, unë besoj se Albin Kurti do të kërkojë dhe do të gjejë bashkëpunimin me homologun e tij në Shqipëri. Sigurisht që me Ramën do ta kishte më vështirë, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e kohëve të fundit. Do të ishte gabim nëse kryeministrat ose presidentët shqiptarë do të konkurronin me njëri-tjetrin për popullaritet në hapësirën shqiptare, mirëpo është e vërtetë se të gjithë sprovohen përpara opinionit publik shqiptar kur vjen puna për të mbrojtur interesat kombëtare. Për mendimin tim, Rama e nisi nga një pikë e lartë kur deklaroi në Beograd se Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës dhe kur e vizitoi Luginën e Preshevës, por qysh atëherë ka shënuar veç zbritje me ortakërinë e tij me Vuçiqin, me projektin e “mini-shengenit ballkanik” dhe me përfshirjet në prapaskenat e planit për “shkëmbime territoriale”. Për dallim, aksioni politik i Albin Kurtit ka shënuar veç ngjitje. Edhe rrëzimi i qeverisë së kryesuar prej tij po dëshmohet se ka kontribuar në rritjen e peshës politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

SHENJA: Duke i marrë parasysh të gjitha zhvillimet e hovshme në gjeopolitikë, çfarë i pret shqiptarët, në përgjithësi, dhe Kosovën, në veçanti, në dekadën që vjen?

SULSTAROVA: Është vështirë të bësh parashikime, por me siguri mund të themi se “erozioni shqiptar” do të vijojë po nuk morëm masa të ndalet. Me “erozion” kam parasysh jo vetëm degradimin mjedisor që po i ndodh atdheut tonë, por edhe gërryerjen demografike, tretjen e vlerave dhe të traditave të shëndosha, varfërimin jo vetëm material, por edhe varfërimin e lidhjeve shoqërore etj. Të gjitha janë dukuri të ndërlidhura dhe nuk ndryshohen dot brenda ditës. Nevojitet një lëvizje e re kombëtare që ta rindezë atdhedashurinë dhe të krijojë një valë entuziazmi që të na përfshijë të gjithëve. Uroj që më 14 shkurt 2021 qytetarët e Kosovës ta shënojnë këtë dashuri për njëri-tjetrin dhe fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të jetë dallëndyshja lajmëtare e pranverës shqiptare!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *