Është miratuar rregullorja, mundësohet regjistrimi i automjeteve me targa të huaja

Rregullorja për miratim individual të automjeteve, që ishte problem për t’u regjistruar automjetet me targa të huaja që qarkullojnë në vend, është miratuar, dhe sipas paralajmërimeve nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pritet sot të publikohet në Gazetën zyrtare dhe të hyjë në fuqi.

“Në zgjidhjen ligjore të cilën e miratuam është paraparë që Ligji të hyjë në fuqi 20 ditë pasi që të publikohet në Gazetën zyrtare. Mu në disa akte të caktuara të Ligjit është paraparë të miratohen rregullore adekuate, ndërsa dje Ministria e Ekonomisë e miratoi rregulloren për Miratim individual të automjeteve”, deklaroi dje ministri Bekteshi.
Tani, Byroja për metrologji dhe institucionet e tjera siç është Drejtoria e doganave, munden lirisht të fillojnë me regjistrimin e automjeteve që janë paraparë me zgjidhjen e fundit ligjore.

Në pajtim me zgjidhjen ligjore, mund të regjistrohen automjete që janë sjellë në vend deri më 1 tetor të vitit 2020, ndërsa shpenzimet janë zvogëluar për 50 për qind.

Me ligjin është paraparë pronari apo shfrytëzuesi, përkatësisht personi i autorizuar për tjetërsim të automjetit apo personi i cili do ta blejë automjetin t’i ketë rregulluar obligimet doganore dhe tatimore për automjetin në afat prej gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të posedojë patent shofer valid, sigurim dhe karton të gjelbër, të ketë hyrë në territorin e RMV-së deri më 1 tetor të vitit 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *