Shqipëria dhe Arabia Saudite firmosin për “çështjet islamike”

Shqipëria dhe Arabia Saudite janë duke forcuar bashkëpunimin, përsa i përket çështjes së islamit.

Një delegacion shqiptar, ku bënin pjesë Bujar Spahiu, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, dhe Lauren Luli, myftiu i Tiranës, kanë qenë për një vizitë zyrtare në Riad ku janë pritur nga zyrtarë të lartë.

Drejtuesit e Komunitetit Mysilman kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Sheikh Abdullatif Al-Asheikh, ministër për Çështjet Islame, për të thelluar bashkëpunimin midis dy shteteve në çështjet islame.

Sipas autoriteteve arabe, marrëveshja synon shkëmbimin e publikimeve shkencore, kërkimeve, literaturës, zhvillimit të seminareve dhe kurseve, si dhe organizimin e ekspozitave të përbashkëta.

“Ministria po bashkëpunon me autoritetet e interesuara në të gjitha vendet e botës, duke pasur parasysh rolin kryesor të Mbretërisë në shërbim të Islamit dhe myslimanëve, për të promovuar imazhin e vërtetë të Islamit, që është një fe e tolerancës dhe moderimit që hedh poshtë ekstremizmin, dhunën dhe terrorizmit”, është shprehur ministri Al-Asheikh.

Takimet e delegacionit shqiptar në Riad nuk janë pasqyruar në faqen e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur në Evropë janë shtuar shqetësimet për një depërtim edhe më të madh të Arabisë Saudite në Shqipëri dhe në rajon, pas bllokimit të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *