Erdogan: Turqia synon të zbarkojë në Hënë deri në vitin 2023

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha të martën se Turqia synon të arrijë kontaktin e parë me Hënën si pjesë e programit kombëtar hapësinor në vitin 2023.

“Zbarkimi i parë do të bëhet në Hënë me raketën tonë kombëtare dhe autentike hibride që do të lëshohet në orbitë në fund të vitit 2023 përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”, u shpreh ai.

“Qëllimi ynë i parë është të zbarkojmë në Hënë deri në vitin 2023, për 100 vjetorin e Republikës së Turqisë. Unë besoj se inxhinierët turq do të arrijnë ta kryejnë këtë mision”, potencoi Erdogan.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, muajin e kaluar, ai bisedoi me shefin e kompanisë së Teslas-s dhe të SpaceX, Elon Musk, mbi bashkëpunimin e mundshëm në teknologjitë hapësinore me kompanitë turke.

“Qëllimi i dytë i Turqisë është të krijojë një markë globale që do të konkurrojë në fushën e zhvillimit të satelitit të gjeneratës së ardhshme”, tha ai.

Mes tjerash presidenti turk potencoi se Turqia synon të dërgojë një qytetar në hapësirë brenda fushës së një misioni shkencor. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *