Naser Eshtrefi: Ishte gjithçka e rastësishme, Angeli me babin e tij më rrahën, thikën e gjeta në tokë

Në Gjykatën Penale të Shkupit pardje është mbajtur seancë për rastin e therjes me thikë të maturantit Angel Petkovski, në maj të vitit 2014-të në Gjorçe Petrov, në të cilën i akuzuar është Naser Eshtrefi. Është pyetur Eshtrefi, në lidhje me ngjarjen dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur. Ai tha se është i penduar për ngjarjen dhe se nuk ka dashur ta vret Angelin, por gjithçka ishte e rastësishme. Therjes me thikë i ka paraprirë një zënkë, në të cilën siç shpjegoi Eshtrefi, Angeli me babain e tij e kanë rrahur me dru dhe shkelma, raporton Portalb.mk.

Gjykatëse e lëndës: Diana Gruevska – Ilievska
Prokuror: Darko Jakimovski
Avokat mbrojtës: Ivanka Stojkovska

“Mbetem në deklaratën që e kam dhënë para gjykatës”, tha Eshtrefi.

Në fillim avokatja mbrojtëse i bëri pyetje të drejtpërdrejta, ndërkaq Eshtrefi u përgjigj:

“Nuk e kam planifikuar rastin. Nuk kam pasur qëllim dhe vullnet të ndodh. Kam qenë i lënduar, por nuk kam dorëzuar paraqitje zyrtare për personin që më ka lënduar (babain e Angelit, shkrim i redaksisë), pasi që këtë ia kam lënë gjykatës. Lëndimet ishin të dukshme pasi që më fotografuan në stacion policor. Pendohem pasi që nuk kam dashur të ndodh, gjithçka ishte rastësi”, tha Eshtrefi.

Ai më pas vazhdoi të tregojë se ku ka ndodhur ngjarja dhe në çfarë rrethana.

“Ngjarja ka ndodhur në shtegun e poshtëm dhe jo në shtegun me bekaton. Kur ndodhi kisha frikë, ndodhi papritur. Ishte e rrezikuar jeta ime. Tani i ndjeri më ka kapur për fyti dhe aty e ndjeva frikën. Pastaj ndodhi rrahja te shkallët, e argjinaturës. I ndjeri më ka goditur me shqelma, ndërkaq babai i tij me dru. Kur arrita në vendin që u takova me dy personat, ata nuk kishin asgjë në duar. Ata më rrahën, unë u rrëzova ndërkaq kur jam ngritur në këmbë e pash thikën në tokë”, shtoi Eshtrefi.

Naseri disa herë pyetjeve të prokurorit iu përgjigj me “nuk më kujtohet”, ndërkaq prokurori insistonte që të nxjerrë përgjigje, duke i përmendur deklarata të cilat paraprakisht Naseri i ka dhënë para prokurorisë dhe gjykatës, transmeton Portalb.mk.

Naser Eshtrefi në gjykatë, foto Portalb.mk/Arbnora Memeti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *