Gjykimi komunist i katër intelektualëve tetovarë në vitin 1968

Nga Ismail Arsllani
Gjashtë muaj pas demonstratave të 22-23 dhjetorit të vitit 1968 në Tetovë, në Gjykatën e Qarkut të Shkupit mbahet një proces i montuar politik gjyqësor, në të cilin akuzohet i ashtuquajturi “Grupi i intelektualëve”, që cilësohej si një nga organizatorët dhe udhëheqësit e demonstratave të Tetovës.
Në këtë grup organizatorësh të demonstratave, ishin të akuzuarit dr. Mahmut Bajraktari, dr. Harun Jakupi, arsimtarët Salahudin Hyseini dhe Abdulla Kalishta, të gjithë nga Tetova, të cilët ngarkoheshin për vepër penale “propagandë armiqësore” nga neni famëkeq 118, alineja 1 e Ligjit penal të RSM-së.
Lënda e gjykimit ishte zhvilluar me numrin 1223/68, që kishte datën 18.04.1969, ndërsa dënimet shpallen më 30 qershor 1969. Këta katër të akuzuar ishin arrestuar nga organet e sigurimit maqedonas më 24 e 26 dhjetor 1968.
Të dy arsimtarët e akuzuar punonin në shkollën fillore “Liria” të Tetovës, ndërsa të dy mjekët e përmendur punonin në Spitalin e Tetovës. Në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut në Shkup, këta katër të akuzuar fajësohen për veprat në vijim.
KONSTRUKSIONET POLITIKE DHE AKUZAT E GJYKATËS
Në aktakuzën e montuar politike të Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut në Shkup, pos të tjerash, shkruan: “Më 22 dhjetor 1968, në mbrëmje, si
dhe më 23 dhjetor, gjatë ditës, të akuzuarit dr. Mahmut Bajraktari, dr. Harun Jakupi, arsimtarët Salahudin Hyseini dhe Abdulla Kalishta, me paramendim kanë ushtruar propagandë armiqësore, duke thirrur për dhunë, për veprim kundër-kushtetues, për përmbysjen e shoqërisë dhe rregullimin shtetëror të RSM-së dhe RSFJ-së,
si dhe për rrënimin e vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, duke qenë se më 22 dhjetor 1968 kanë organizuar demonstrata të kombësisë shqiptare, me karakter armiqësor, pasi që ishin mbledhur në sheshin e qytetit, ku kanë përhapur lajmin se fotografi Sreçko Janevski nga Tetova ka grisur flamurin shqiptar, i vendosur para dyqanit të rrobaqepësisë të Ismail Xhaferit nga Tetova”.
“Pasi janë mbledhur në një grup më të madh, ata kanë nxehur atmosferën, duke thënë se me atë që e ka bërë Janevski ka ofenduar ndjenjat e mbarë popullit shqiptar, se ashtu më nuk mund të durohet, se duhet të ndërmerret diçka dhe nëse duhet do të derdhet edhe gjaku për flamurin shqiptar.
Të katër të akuzuarit, kanë udhëhequr grupin e demonstruesve deri te shtëpia e kryetarit të Konferencës komunale të LK të Tetovës, Xhemail Vejseli, si dhe deri te objekti i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Tetovës, ndërsa më pastaj vazhdojnë drejt sheshit të qytetit, ku të akuzuarit Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari kanë mbajtur fjalim, me çka edhe më shumë i kanë nxehur njerëzit e tubuar, ndërsa me ftesën e Jakupit, Hyseinit dhe Bajraktarit, grupi ka hedhur gurë dhe kanë thyer vitrinat e hotelit “Maqedonia”, pastaj nën udhëheqjen e tyre grupi është drejtuar nga dyqani i Sreçko Janevskit, të cilin e kanë demoluar.
Gjatë gjithë kohës së lëvizjes së grupit, janë brohoritur parullat me përmbajtje armiqësore dhe separatiste “Rroftë Shqipëria e madhe!”, “Ua, milicia fashiste!” etj. Para përfundimit të demonstratave, i akuzuari Jakupi i ka njoftuar të pranishmit që të nesërmen duhet përsëri të mblidhen dhe të vazhdojnë me demonstratat. Më 23 dhjetor 1968, kur demonstratat në Tetovë kishin vazhduar, i akuzuari Salahudin Hyseini, merr pjesë aktive në to dhe ka udhëhequr një grup nxënësish nga Tetova, të cilët i ka organizuar që të brohorisin parulla armiqësore që u përmendën më lart.
Me veprimet e lartpërmendura, të katër të akuzuarit: Harun Jakupi, Salahudin Hyseini, Mahmut Bajraktari dhe Abdulla Kalishta, kanë bërë vepër penale – propagandë armiqësore, sipas nenit 118, alineja 1 nga Ligji penal”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut të Shkupit.
Pas marrjes në pyetje të të akuzuarve, të dëshmitarëve dhe nxjerrjes së provave materiale gjatë procesit të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Shkup, ka shpallur vendimet për dënimin e të akuzuarve, me burg të rëndë. Gjykata e Qarkut e Shkupit dënon:
Të akuzuarin Harun Jakupi, me burg në kohëzgjatje prej 5 vjetësh; të akuzuarin Salahudin Hyseini, 4 vjet; të akuzuarin Mahmut Bajraktari, 4 vjet; të akuzuarin Abdulla Kalishta, me 18 muaj. Të gjithë të akuzuarve të dënuar u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të pandehurit obligohen që të paguajnë në mënyrë solidare shpenzimet e procedurës penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *