Arjanit Hoxha: “Për biznesin tim personal vendos unë, nuk mund të vendos Antikorrupsioni”

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha ka komentuar hapjen e procedurës nga Komisioni për Antikorrupsioni kundër tij, nën dyshimin se ka konflikt të interesit derisa në krye të kompanisë së tij, pasi është zgjedhur ministër ka vendosur bashkëshorten e tij.

Hoxha nuk ishte i informuar për rastin, megjithatë tha se derisa kompania e tij nuk merr ndihmë nga shteti, nuk mund të flitet për konflikt të interesit.

“Jo, nuk kam informacione se Antikorrupsioni ka hapur procedurë kundër meje. Pronare e kompanisë është bashkëshortja ime, çfarë ka lidhje ajo me konflikt të interesit? Nuk ka të bëjë aspak me konflikt të interesit, derisa ajo kompani nuk merr ndonjë ndihmë nga ana e shtetit. Nëse ka ndonjë informacion se kompania që është biznes familjar dhe për të cilin është punuar aq shumë, fiton çfarëdo ndihme, kurse unë ju garantoj se deri tani nuk është fituar asnjë ndihmë në formë të subvencionit. Aspak nuk ka të bëj me konflikt të interesit”, tha Hoxha në konferencën ku u nënshkrua marrëveshja kolektive.

Ndërkaq, u shpreh decid, se Komisioni për Antikorrupsion nuk mund të vendos se kush duhet të qëndrojë në krye të kompanisë.

“Për biznesin tim personal vendosi unë, nuk mund të vendos Antikorrupsioni”, tha Hoxha, transmeton TV21.

Ndërkaq, Komisioni për Antikorrupsion ka hapur sot procedurë për të hetuar konfliktin e interesit për tre deputetë dhe një ministër.

Bëhet fjalë për deputetin Ljupço Prenxhov, Skender Rexhepi, Abdulla Saliu dhe ministrin Arjanit Hoxha.

Procedura është hapur për shkak se pas marrjes së funksionit si deputet dhe ministër, në krye të kompanive të cilat janë udhëhequr paraprakisht nga ata, kanë emëruar familjarët e tyre.

Nëse konstatohen dyshimet për konflikt të interesit, deputetët dhe ministri do të gjobiten sipas Nenit 105 të Ligjit për parandalim të korrupsionit, nga 300 deri në 500 euro./TV21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *