Pas dorëheqjes së Isa Mustafës deklarohet Lutfi Haziri

Pas dorëheqjes së liderit të LDK-së, Isa Mustafa, si pasojë humbjes së thellë në zgjedhjet e djeshme, ka folur nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Haziri ka thënë se pas aktit të dorëheqjes, është hapur rruga për mobilizimin politik dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë parti.

“Dorëheqja e kryetarit të LDK-së dhe Kryesisë, hap rrugë që të ftohet Kuvendi i LDK-së dhe zgjidhet kryetari e Kryesia e re në nivel vendi. Si asnjëherë më parë në historinë e LDK’së nuk ka ndodhur që Kryetari, Nënkryetari, sekretari dhe Kryesia të japin dorëheqje për shkak të rezultatit zgjedhor. Kjo është arritur sot pas aktit të tërheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit dhe nga tash është hapur rruga për mobilizimin politik dhe zgjedhje të jashtëzakonshme të LDK’së”, ka thënë Haziri, në një prononcim për Mediafokus.info, duke shtuar se njësoj do të veprohet edhe në Gjilan.

“Po ashtu, edhe ne në Gjilan nga sot do të veprojmë njëjtë. Debati i brendshëm do të përcillet me largimin e dobësive tona që shkaktuan pakënaqësi te qytetarët dhe votuesit”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.

Haziri ka treguar se si do të veprohet për t’i bashkuar, siç tha ai, të gjitha pjesët e LDK’së

“Ne duhet të merremi mërgatën tonë, familjen tonë politike, pakënaqësitë tona të brendshme, pa u ndikuar nga ata që dëshirojnë Rugovimin ta dërgojnë në histori. LDK duhet të vazhdojë t’i bashkojë të gjitha pjesët e saj, brenda e jashtë, për rikthimin e madh. Të kontribuoj në stabilitetin e vendit dhe mirëqenien e Republikës”, ka thënë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, derisa ka uruar VV’në dhe Vjosa Osmanin për suksesin në këto zgjedhje.

Dorëheqja e Isa Mustafës është paralajmëruar nga ky i fundit në një mbledhje të Kryesisë që është mbajtur sot derisa Lutfi Haziri pritet të jetë njëri nga figurat që do të luftojë për ta marrë besimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së për t’i prirë partisë më të vjetër në Kosovë.

Ndryshe, LDK pësoi fiasko në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke marrë jo më shumë se 103 mijë vota dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *