Ibrahim Kelmendi: Fatos Nano sabotoi luftën e UÇK, Berisha na përndoqi me SHIK-un, ja 3 linjat e furnizimit me armë, roli i Majkos dhe Fatos Klosit

Marrin një tjetër rrjedhë polemikat dhe debatet mbi rolin e politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në luftën e UÇK, për çlirimin e Kosovës nga ushtria e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi, protagonist i luftës së UÇK dhe njeriu i ngarkuar për furnizimin me armë dhe çështje logjistike të UÇK, jep versionin e tij për një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe vendimtare në historinë e shqiptarëve. Gjatë një interviste për gazetën SOT, Ibrahim Kelmendi, ka deklaruar se ish-kryeministri Fatos Nano ka qenë sabotatori më i madh i luftës për çlirimin e Kosovës. Ndërsa duke u ndalur tek roli i Sali Berishës, Kelmendi thotë se në kulmin e luftës, Berisha nuk kishte as rol pozitiv dhe as negativ, pasi nuk ishte në pushtet. Por, Kelmendi deklaron se SHIK i Sali Berishës, që komandohej nga Beogradi dhe Shkupi, ka përndjekur luftëtarët e UÇK. Madje, Kelmendi kujton se për të kaluar armët nga Shqipëria në Kosovë, SHIK dhe policia kanë marrë ryshfet. Kelmendi ka rrëfyer edhe tre linjat kryesore të furnizimit me armë të UÇK nga depot në Shqipëri. Ai flet gjithashtu për rolin e Pandeli Majkos, Fatos Klosit dhe faktorëve të tjerë politikë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në luftën e UÇK. Kelmendi deklaron se rol kryesor në luftën e UÇK kanë patur amerikanët, ndërsa shton se Rugova, Mustafa dhe Bukoshi kanë qenë marioneta të Beogradi. 

Z. Kelmendi, në Tiranë ka nisur një debat mbi rolin e disa faktorëve dhe linjave politike në Shqipëri dhe Kosovë, në luftën e UÇK. A është i nevojshëm një debat i tillë mes shqiptarëve për protagonizëm, për një luftë tashmë të fituar nga shqiptarët me mbështetjen e amerikanëve? 

Po, jam në rrjedhë të debatit që po ndodh, i nxitur nga një intervistë të Prof. Fatos Klosit, emetuar në televizionin publik të Kosovës (RTK). Jam i mendimit se informacioni i bartësve dhe pjesëmarrësve të asaj Lufte Çlirimtare është i dobishëm, që historianët të kenë mundësi ti (ç)vlerësojnë. Patjetër, ofrimi i cilido informim nxit edhe debat, meqë secili njeri ka këndvështrimin dhe perceptimin subjektiv. Gjatë debatit mund të dalë në pah edhe protagonizmi. Ndoshta është njerëzore edhe kjo, meqë luftën çlirimtare nuk e kanë bartur jashtëtokësorët dhe nuk e kanë bartur as ata që nuk ishin bartës dhe pjesëmarrës, bile ishin kundër, dhe tani duan të imponohen si bartës e pjesëmarrës. Uroj që të kemi sa më shumë sinqeritet dhe sa më pak rrahagjokse, meqë janë të shumtë bartësit, pjesëmarrësit dhe përkrahësit, që kanë kontribuuar me aftësitë, mundësitë e mendësitë që kishin, siç kishte shumë që ishin kundër.

Ka një pretendim nga Milaim Zeka, por edhe nga të tjerë, se ka pasur një veprimtari të Pandeli Majkos për të bllokuar furnizimin me armë të UÇK nga depot në Shqipëri. Si qendron e vërteta sipas jush?

Me sa mbaj mend, z. Milaim Zeka atëherë ishte një element tepër destruktiv dhe shpesh na ka shkaktuar vështirësi. Destruktiviteti i tij ka shtyrë edhe Komandantin e NATO-s, Gjeneralin Clark, që të protestonte kundër keqsjelljes së z. Zeka dhe të kërkoi që ky të disiplinohej. Tjetra, z. Zeka atëherë ishte marionetë e komplotistëve ndaj UÇK-së, Xhavit Haliti dhe Azem Syla, që imponoheshin se ishin krye-komandantë dhe bosa të UÇK-së. Këta të dy nuk e mirëpriten qëndrimin e Kryeministrit Majko, që UÇK-ja të furnizohej me armatim e municion falas dhe të ndërpritej praktika e deriatëhershme e kontrabandimit; në praktikë disa ushtarakë të Ushtrisë Shqiptare, duke pasur qasje në depo e kazerma, ia vidhnin ushtrisë se tyre dhe na i shisnin neve. Kjo kontrabandë kishte futur xhelozi mes ushtarakëve të Ushtrisë Shqiptare. Kryeministri Majko donte ti jepte fund edhe atij lloj kontrabandimi. Komplotistët Haliti dhe Syla nuk e mirëpriten këtë ofertë të kryeministrit Majko, meqë dëshironin të vazhdonin me praktikën e deriatëhershme, për të kamufluar vjedhjet e mjeteve financiare të UÇK-së. Fatkeqësisht, Prof. Klosi mbajti anën e komplotistit Xhavit Haliti, për arsyet që unë nuk i di, dhe u konfliktua me kryeministrin Majko. Thënë shkurt e shqip, aty e tutje strukturat e Shtetit Shqiptar u sollën më shqiptarisht në ndihmim e përkrahje të UÇK!

 -Cila është e vërteta e raporteve tuaja me Xhavit Halitin?

Me z. Xhavit Haliti kam qenë bashkëveprimtar në kuadër të lëvizjes tonë. Kemi qenë bashkëveprimtarë e shokë pa rezerva. Angazhimi i tij për të sjellë marionetën serbe, Hajdin Sejdinë në Tiranë, më pat irrituar shumë. Në vitin 1991, kohën më të madhe qëndroja në Tiranë, deri në qershor ose korrik 1992, kur u detyrova të arratisem nga SHIK-u i Sali Berishës. Shpeshherë jam fjalosur me ish-bashkëveprimtarin Haliti, gjatë këshillimeve që i bëja, të mos kompromentohej duke e përkrahur Hajdin Sejdinë, themeluesin e parë të firmës piramidale në Shqipëri. Konflikti është ashpërsuar gjatë vitit 1996 dhe 1997, kur u informova se ndihmat financiare që grumbullonte për UÇK-në Lëvizje (themeluesja e UÇK-së), nuk po i shkonin UÇK-së në zonat e tyre operative. Përgjegjësinë kryesore për këtë e kishte vetë z. Haliti, të cilit i dorëzoheshin pothuajse të gjitha mjetet financiare, për t’ia përcjellë UÇK-së në Kosovë. Konflikti u ashpërsua në mars të vitit 1998, sapo ndodhi Epopeja e Jasharëve në Prekaz. Xhavit Haliti, bashkë me Azem Sylën (i cili simulonte rrolin e komandantit të përgjithshëm), filluan ta konkretizonin komplotin kundër UÇK-së në të gjitha nivelet dhe sidomos në furnizimin me armatim. Ata të dy e sabotonin dhe e kërcënonin Komandant Mërgimin, siç quhej atëherë Heroi Ilir Konushevci. Ai ishte shef i sektorit logjistik të UÇK-së, njëherazi edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Fatkeqësisht, më 9 maj 1998, në Qafë Mali, u vra vigani Ilir Konushevci nga banda e kriminelit mercenar Besim Demiri (tropojan), i cili në atë kohë ishte shofer i shefit të policisë në Bajram Curr (tashmë të ndierit Hyka). Atëherë kam shfaqur dyshimin se pagues të asaj vrasjeje duhej të ishin Xhavit Haliti e Azem Syla. Vazhdoj të kem të njëjtin dyshim, duke u bazuar në veprimet e tyre kundër heroit Konushevci dhe duke u bazuar edhe në urdhrin e ish-kryeministrit Nano, që të mos zhvilloheshin hetime për vrasjen e Ilirit dhe Dr. Hazim Malës (tropojan, shoqërues dhe përkrahës i Ilirit). Atëherë, z. Nano ishte streha kryesore e komplotistit Haliti, ndoshta jo vetëm pse ishte korruptuar me para nga z. Haliti dhe z. Bujar Bukoshi. Konflikti ka vazhduar gjatë gjithë luftës. Unë isha anëtar i Kryesisë së Lëvizjes, i votuar në Kuvendin e jashtëzakonshëm (maj 1998). Ato konflikte i menaxhonim e i sfidonim në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm dhe në Kryesi, por dëmet e komplotit të z. Haliti dhe z. Syla i (dis)kualifikoj si tepër të mëdha. 

-Si qëndron e vërteta e furnizimit me armë të UÇK nga Shqipëria, teksa disa e quajnë trafik, ndërsa të tjerë si veprimin e duhur, pasi populli i Kosovës po masakrohej?

 Rëndom, pjesën më të madhe të armatimit në Shqipëri jemi detyruar ti blejmë, kryesisht nga ata që i kishin vjedhur ato në kazerma gjatë rebelimit në vitin 1997. Ato ishin kryesisht armë që përdoreshin në ‘zbore’ të Vetëmbrojtjes Popullore. Ndërsa kemi blerë edhe armë që i shisnin ata që i vidhnin në depo e kazerma të Ushtrisë. Edhe për bartjen e tyre deri në disa “pika” në Tropojë e Has, na duhej t’u paguanim “bakshishe” (në fakt haraç) pjesëtarëve të SHIK-ut dhe të policisë. Për ndihmat nga ana shtetit, pasi iku Nano, nuk do të flas, sepse unë nuk isha i ngarkuar me atë çështje.  

-A ka pasur luftë mes dy linjave shqiptare për dërgimin e armëve në Kosovë?

Në të vërtetë, qysh në prill 1998 ne kishim tre “linja” të furnizimit me armatim: atë që kishte ngritur Komandanti Ilir Konushevci (me epiqendër Tropojën dhe me një degë në Has, nën drejtim të Ruzhdi Saramatit dhe Qemal Idrizit), atë që kishte ngritur Azem Syla (me epiqendër diku në Has ose Krumë) dhe atë që e kishte FARK-u “institucional”. Mendoj se rreth 70 % të armatimit e municionit në Kosovë e ka futur “linja” që kishte ngrit Ilir Konushevci (pas vrasjes kemi caktuar z. Gani Nuha dhe z. Raif Gashi të “menaxhonte” atë “linjë”). FARK-u nuk ka futur armë në Kosovë, por ka armatosur “brigadën 134”, të cilën e ka dërguar në Dukagjin për të bërë diversion kundër UÇK-së dhe Luftës Çlirimtare në Dukagjin. Atë brigadë, të përgatitur në Shqipëri nga “ministri i Mbrojtjes” dhe komandanti i FARK-ut, i ndieri Ahmet Krasniqi dhe të komanduar nga ushtaraku Tahir Zemaj. 

-Kush i mbylli të gjitha qendrat stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri dhe pse?

 Nuk e di t’i ketë mbyllur ndokush qendrat stërvitore në Shqipëri. Ndërkohë, UÇK-ja në Kosovë ishte masivizuar dhe i ishin bashkuar shumë ushtarakë të sprovuar, prandaj nuk kishim nevojë për qendra stërvitore në Shqipëri, siç kishim nevojë në fillim. 

-Cili është roli i Fatos Kolosit në luftën e UÇK?

 Me Prof. Klosin rastësisht jemi njohur në javën e dytë të marsit 1998. Aty e tutje kisha relata shumë të mira. Kurdoherë që ia kishim nevojën për ndërmjetësim, ka qenë i gatshëm, na ka ndihmuar e përkrahur. Gjithsesi, meriton falënderime, edhe pse ka kryer obligime që i takonin secilit shqiptar! 

-Cili është roli i Sali Berishës?

 Për rolin e Berishë në kohën kur ushtronte pushtet absolut, me keqardhje dua të them se ishim të përndjekur, pothuajse njësoj, si në Kosovën e pushtuar. Personalisht më është dashur të arratisem nga Tirana në verë të vitit 1992, sepse SHIK-u i Shqipërisë po komandohej nga Beogradi e Shkupi. Atëherë jam dëmtuar edhe materialisht, sepse në Tiranë patëm hapur shtëpinë e parë botuese private. Gjatë luftës ai nuk kishte pushtet, prandaj nuk kishte mundësi të na pengonte. Kulla në Viçidol, të cilën e shfrytëzonte UÇK-ja si bazë, nuk ka qenë e Sali Berishës (edhe pse është bërë mashtrim se ishte e tij), por e një kushëriri të tij, Bacës Sylejman Berisha, i cili jo vetëm kullën, por me krejt familjen qe angazhuar për t’u bërë strehë e ngrohtë dhe e sigurte e “ilegalëve” të UÇK-së. Sigurisht, ai dhe familja Tafa në Bajram Curr, para Prof. Klosit dhe Prof. Brokajt meritojnë të jetë veteranë të UÇK-së. Uroj që edhe ata të jenë njohur si veteranë! 

-Çfarë roli kanë luajtur Rugova, Mustafa dhe Bukoshi në luftën e UÇK?

 Për mendimin tim, Rugova, Mustafa dhe Bukoshi kanë qenë marioneta të Beogradit dhe çfarëdo “merite” që kanë ata, duhet falënderuar Beogradi për atë rol që u kishte dhënë… 

-A ka pasur personazhe në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët kanë sabotuar luftën e UÇK dhe kush janë ata sipas jush?

 Kryepersonazhet e sabotimit të Luftës Çlirimtare të UÇK-së ishin ish-kryeministri Nano dhe ish-drejtori i policisë, Sokol Bare. Pastaj i pason ish-ministri i Mbrojtës, Hajdaraga dhe marionetat e tyre. Nano dhe Hajdaraga nuk e kanë zbatuar urdhrin e Presidentit dhe Komandantit Suprem, Prof. Rexhep Mejdani, i cili kishte urdhëruar që Ushtria Shqiptare të furnizonte falas UÇK-në me armatim të nevojshëm. Mund të merret me mend se çfarë sabotazhi mund të ushtronin ata të tre, me ato përgjegjësi shtetërore. Por, sa herë konfrontoheshim, arsyetoheshin se kishin presion nga “ndërkombëtarët”. Unë kam bërë denoncim penal për Nanon, por publik, duke mos pasur mundësi fizike ta dorëzoja në Prokurori të Përgjithshme. 

-Cilat ishin kontaktet e drejtuesve të UÇK me amerikanët dhe cilat ishin udhëzimet e tyre?

 Unë kam qenë i angazhuar në logjistikë, Fondin “Vendlindja thërret” dhe në informim të opinionit ndërkombëtar. Për këtë janë më kompetentë Mr. Bardhyl Mahmuti (tani me banim në Zvicër) dhe Dr. Sabri Kiçmari (tani Ambasador i Republikës së Kosovës në Australi). Gjithashtu, më i informuar se sa unë është edhe ish-kryetari i Lëvizjes, shkodrani Bedri Islami (Biri i “Lulit të vocërr” të Migjenit). Mund të them se në Amerikë duhet të kenë luajtur rol të madh shqiptaro-amerikani Tenet (Kryeshef i CIA), Kryeshefi i CIA për Ballkanin, gjithashtu kriptoshqiptari me origjinë nga Zymi, e sidomos Presidenti Clinton, Zonja Ollbrajt dhe Gjenerali Clark. Këtyre personaliteteve, kurrë nuk mund t’u falënderohemi për meritat e çlirimit të Kosovës. Them këtë, sepse administrata e lartë shtetërore amerikane paraprakisht ishte më serbofilja në Botë, meqë atë e kishin ngritur serbofilët Kisinger dhe Eagleburger…  

-A ka qenë UDB e përfshirë?

 UDB-ja, e riemërtuar me emra të tjerë në vitet ‘70-të të shekullit që lamë pas, sigurisht që ka infiltruar spiunë e marioneta gjithandej. Beogradi kishte shërbime shumë të fuqishme. Ato i kishin ndihmuar sidomos SHBA-të, gjatë viteve 1950-1990, që të bëhen ndër më të fuqishmet në Botë. Kosova ishte e pushtuar dhe shërbimet e Beogradit kanë pasur rrjet shumë të dendur në Kosovë (rreth 40 mijë veta), por edhe në Shqipëri… Unë kam pas krijuar shprehi që ti dyshoj si marioneta e spiunë të Beogradit, secilin që angazhohej e vepronte kundër interesave të Kosovës e të Shqipërisë. Listën me emra të shumë të tillëve mund ta bëjë pothuajse secili, që ka qenë shqiptarisht i ndërgjegjshëm. 

-A kanë dalë të gjitha të vërtetat e luftës së UÇK?

 Një pjesë e të vërtetave kryesore për UÇK-në janë publikuar. Janë publikuar edhe shumë shpifje, që janë pjellë e luftës speciale të shërbimeve serbe dhe simotrave të tyre. Janë ofruar edhe (dez)informime subjektive nga disa pjesëtarë të UÇK-së dhe përkrahësve të saj. 

-Si qëndron problemi me listat e veteranëve të UÇK, a ka pasur deformime?

 Nuk jam në rrjedhë, jam për mjekim intensiv jashtë Kosovës. Në mjete të (dez)informimit dhe në rrjete sociale po lexoj e dëgjoj për deformime goxha serioze. Sërish po komplotojnë kryesisht dyshja Haliti dhe Syla dhe marionetat e tyre… 

-Thonë se në fund të luftës, kur fitorja anoi në anën e shqiptarëve të Kosovës, radhët e UÇK janë shtuar shumë. Si qëndron e vërteta?

Ndoshta e keni fjalën pas mbarimit të luftës, meqë fundi nuk i dihej. Interesimi për t’u përfshirë në UÇK ka qenë shumë i madh, por UÇK-ja nuk i kishte kapacitetet logjistike për t’i përfshirë të gjithë. Ta zëmë, vetëm nga Gjermania mund të jenë paraqitur rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, që të përfshiheshin në UÇK. Kishim vështirësi të madhe për t’i bindur se nuk kemi kapacitete për t’i rekrutuar të gjithë. Mund të ketë ndonjë rast që pas përfundimit të Luftës, nga euforia, mund të jenë kamufluar si pjesëtar të UÇK. 

-Përveç Fatos Klosit dhe Sabit Brokajt, sa shqiptarë nga Shqipëria gëzojnë statusin e veteranit të UÇK dhe a e meritojnë një status të tillë?

Nuk kam informacion sa shtetas të Shqipërisë ishin dhe janë veteranë të UÇK-së. Ata që e meritojnë, janë shumë.

Intervistoi: Adriatik Doçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *