Albin Kurti në vitin 2008: Flamuri i Kosovës s’ka të kaluar, nuk do ta valvisja kurrë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte komentuar flamurin shtetëror të Kosovës, duke e quajtur si flamur që s’ka kurfar të kaluare dhe të njëjtin nuk do ta valviste kurrë.

Kurti në korrik të vitit 2008 në një televizion të Shqipërisë kishte thënë se flamuri i Kosovës i ka ngjyrat e flamurit të Bosnjes dhe ngjyra e kaltër e bën flamur të ujit dhe jo të gjakut sikur ai shqiptar.

“Një flamur përplot histori dhe një flamur i cili s’ka kurfar të kaluare. Është interesant që flamuri i Kosovës u pa për herë të parë në momentin kur u miratua në Kuvendin e Kosovës pikërisht me 17 shkurt kur u shpall pavarësia”.

“Është një flamur i cili i ka ngjyrat e flamurit të Bosnjes, një flamur i cili i përngjan flamurit të Qipros e ka hartën në mes, e cila funksionon si një lloj kompenzimi psikologjik që qytetarët njëmend mendojnë se kështu është Kosova por realiteti në teren është ndryshe, veriu dhe pjesët e tjera mbesin të ndara dhe për më tepër është një flamur i cili jo vetëm i ndryshëm por i kundërt me flamurin shqiptar në kuptimin që ai është flamur i gjakut kurse ky është flamur i ujit e kaltra dhe siç thotë populli ynë gjaku ujë s’bëhet”.

“Tjetra është që këta yje janë të bardhë dhe në këtë mënyrë ngjajnë si yje të natës do të thotë si yje të territ dhe ky flamur nuk është përbrendësuar nga populli në Kosovë, përshkak se flamuri shqiptar ai lidhet me historinë me vuajtjet e përbashkëta me kryengritjet, luftrat dhe si i tillë dominon gjithandej”, kishte thënë fituesi i zgjedhjeve të së dielës në Kosovë.

Ai tutje thoshte se flamuri i Kosovës është flamur i konkurseve dhe s’ka histori.

“Ky është një flamur i bërë me konkurs pra nuk është flamur i cili është rezultat i një histori i një gjakimi të përbashkët por është flamur burokratik, konjuktural”, kishte thënë ai duke shtuar se nuk do ta tundte atë kurrë. Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *