Isa Mustafa: Nuk pendohem, koalicionin me VV-në do ta prishja edhe sot

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk pendohet për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje vitin e kaluar.

Mustafa, në një shkrim të gjatë të publikuar në rrjetin social Facebook të premten, ka deklaruar se LDK-ja zgjodhi partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës para partneritetit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore”, ka thënë Mustafa.

Sipas njeriut që udhëhoqi LDK-në për 11 vjet, LDK-ja e ka obligim të implementojë vlerat e saj në politikat qeverisëse dhe se këtë parim nuk mund ta shkelte.

“LDK, qytetarëve ua ka dhënë besën se do të implementojë vlerat e saj fundamentale në politikat qeverisëse, nuk ia ka dhënë besën se do të martohet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Mustafa përdorur këtë shkrim për të goditur edhe njëherë Vjosa Osmanin dhe ish-anëtarët e tjerë të LDK-së që lanë partinë për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje vitin e kaluar.

“Njerëzit që kanë kaluar në Vetëvendosje, nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ata i ofrojnë këtij vendi në aspektin ekonomik, zhvillimor, të partneritetit euroatlantik, por veç se ia kanë dhënë besën vetëvendosjes. Nuk kanë ofruar asgjë përpos njëzet fjalive me kritika. Sepse nuk dinë më shumë”, është shprehur Mustafa.

Tutje, Mustafa ka thënë se “të tjerët që sot në studio televizive thonë se nuk është dëgjuar zëri i tyre, nuk e thonë të vërtetën, sepse nuk kanë pasur asnjë zë të artikuluar përveç pozicionimit abstenues e abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del”. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *