Pas ringjalljes së idesë për bashkim kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, reagon BE-ja

Bashkimi Kombëtar i Kosovës me Shqipërinë është ri-aktivizuar si ide kohëve të fundit nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe i pari i AAK’së, Ramush Haradinaj.

Advertisement

Bashkimi Evropian po tregohet i rezervuar në komentet e tij për deklaratat e ardhura së fundmi nga politikanë eminentë në Kosovë për bashkimin kombëtar Kosovë-Shqipëri, në rast se autoritetet evropiane dhe Serbia nuk tregohen të gatshme për një marrëveshje me njohje reciproke.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, nga Bashkimi Evropian thonë se “nuk komentojnë deklaratat”, mirëpo shton se liderët duhet të udhëheqin me shembull një klimë që shkon drejt promovimit të një fqinjësie të mirë në rajon.

“Ne nuk i komentojmë deklaratat. Duke folur në përgjithësi, udhëheqësit politikë në rajon duhet të udhëheqin me shembull promovimin e një klime të besimit të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal, parime dhe vlera të cilat BE-ja përfaqëson”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës për çështjet e jashtme dhe ato të sigurisë në BE.

Ai thotë se BE pret që të gjithë faktorët në rajon të jenë akterë të marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese, e që përqëndrohen në reforma për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë në rajon të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese dhe të përqendrohen dhe të intensifikojnë punën në programet e tyre përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Kjo vlen edhe për Kosovën, e cila ka një perspektivë të qartë evropiane si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ne presim që institucionet e reja të punojnë në këtë drejtim”, thotë tutje Stano.

Bashkimi kombëtar madje ishte kryefjalë e fushatës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në njëfar forme paralajmëroi referendum nëse edhe për disa vite Kosova mbetet e izoluar dhe potencialisht nuk ka marrëveshje me Serbinë.

Njëherit edhe Kurti, udhëheqës i subjektit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, në një intervistë për Euronews deklaroi se në rast se do të bëhej referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro.

Advertisement

Leave a Reply