“Kurti ‘shkaktar’ i përçarjes në PDK” – profesori përmend grupin që po e përkrah Vetëvendosjen

Pas përçarjeve dhe dorëheqjeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç duket i njëjti fat po e përcjell edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi, këto dy parti  në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kanë pësuar rëniet më të mëdha në historinë e tyre.

I pari i cili i vuri në dukje përçarjet më të thella në PDK, ishte kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit. Ai përmes një letre publiku i kërkoi dorëheqje secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar përçarjet dhe pakënaqësit brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

Profesor Sulejman Mehazi

Mehazi këto konflikte dhe hidhërime në PDK i sheh si shumë të natyrshme pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Është normale që pas rezultateve të dobëta zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës të ketë pakënaqësi, konflikte e përçarje, këto janë procese të pandalshme partiake që pas humbjes të ketë hidhërime, zënie e dorëheqje. Jo vetëm të PDK-së, po edhe të gjitha partitë humbëse kanë krizë të brendshme politike, kjo krizë e brendshme partiake u reflektua edhe te LDK-ja me dorëheqjen e parevokueshme të Isa Mustafës”, u shpreh ai.

Profesori e arsyetoi kërkesën e Ramiz Lladrovcit për dorëheqjen e disa zyrtarëve të PDK-së, ndonëse tha se dështimet në zgjedhjet e 14 shkurtit dihen edhe para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Në çdo parti ekzistojnë tipat rebelues të Ramiz Lavdrovcave që me të drejtë kërkojnë përgjegjësi partiake për shkak debakleve zgjedhore. Revolta e Ramiz Lavdrovcit për të kërkuar shkaqet e fajtorëve të humbjes së PDK-së janë të arsyeshme, për shkak se duhet gjetur personat të cilët kanë dëmtuar partinë e PDK-së. Shkaqet e rejtingut të ulët të kësaj partie diheshin që para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurti”, theksoi Mehazi.

Ai tha se ardhja e Enver Hoxhajt në PDK shkaktoi përçarjen më të madhe brenda kësaj partie, derisa ishte arsye edhe e ndarjes së saj në tri grupacione.

“Shkuarja e themeluesit të PDK-së, Hashim Thaçit në Hagë së bashku me kryetarin aktual të kësaj partie Kadri Veselin zvogëloi e uli autoritetin e besimit te qytetarët e Kosovës. Pastaj, ardhja e Enver Hoxhajt dhe më shumë përçau brendësisht PDK-në, sa që kjo parti është ndarë në tre grupe: njëri grup me Thaçin, grupi tjetër me Veselin e tjetri me Hoxhajn”, nënvizoi profesori.

Në fund, Mehazi shtoi se ekziston edhe një ndarje ideologjike brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ku njëri grup pëlqen qeverinë për t’iu bashkur Kurtit, grupi tjetër është  kundër qeverisjes me Kurtin

“Jo vetëm kaq, po kjo përçarje është edhe për shkak të dy grupeve ideologjike, njëra pëlqen qeverinë për t’iu bashkur Kurtit, grupi tjetër kundër qeverisjes me Kurtin. Pra, sikurse LDK-ja, poashtu edhe PDK-ja është e detyruar të tranformohet me persona të ri e të autoritetshëm për t’u ringritur sërisht, nëse nuk largohet grupi i prontove kurrë nuk do ketë suksese të mëtutjeshme PDK-ja”, përfundoi Mehazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *