Asamblistja e LDK-së thotë se “do t’ia kthejnë Prishtinën qytetarëve”

Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Jeta Rafuna-Hasani, ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit në kryeqytet, duke shtuar se partia e saj do t’ia kthejë Prishtinën qytetarëve në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në nëntor.

Rafuna-Hasani këto komente i bëri në emisioni “038” të KTV-së, duke thënë se LDK-ja ende nuk ka vendosur për kandidatin për Komunën e Prishtinës.

“Zgjedhjet komunale dhe ato nacionale kanë ndryshim të madh. Ne kemi filluar analizën e brendshme dhe do të shohim se cili kandidat ka marrë më shumë vota, që të jetë kandidat për Prishtinën. Me një program dhe kryetar të mirë, do t’ia kthejmë Prishtinën qytetarëve”, u shpreh Rafuna-Hasani.

Ndërkohë, asamblisti i Aleancës Kosova e Re në Prishtinë, Sami Boroci, u shpreh se rritja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit në kryeqytet, i faturohet edhe partive të tjera. Boroci shtoi se, megjithatë, zgjedhjet nacionale dhe ato komunale, kanë dallim të madh.

“Lëvizja Vetëvendosje tradicionalisht ka pas rritje në nivel nacional dhe jo komunal. Kjo rritje i faturohet edhe partive të tjera. Nuk besoj që Prishtina mund të fitohet pa balotazh. Kandidati ynë pritet të jetë sërish Selim Pacolli, por jemi në fazën e diskutimeve brenda strukturave partiake”, ka thënë Boroci në emisioni “038” të KTV-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *