Skandal: U shkarkua nën dyshimet për ngacmim seksual, por Zemaj e dërgon në Odë të Mjekëve si anëtar të Këshillit Drejtues

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deleguar në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues të Odës së Mjekëve të Kosovës, Zejdush Tahirin, që më 2016 ishte shkarkuar nga posti i këshilltarit të ministrit të atëkohshëm, Imet Rrahmani, për shkak të dyshimit për ngacmim seksual.

KOHA pati raportuar në shtator të atij viti se Tahiri ishte shkarkuar nga ministri Rrahmani, shkaku i dyshimit se kishte ngacmuar seksualisht familjaren e një deputeteje të Kuvendit të Kosovës.

Asokohe, MSH-ja kishte dhëne deklarata kundërthënëse rreth arsyeve të shkarkimit.

Fillimisht Rrahmani kishte mohuar shkarkimin, ndërsa më pas kishte pranuar pasi KOHA Ditore ia kishte prezantuar përmbajtjen e letrës për shkarkim.

MSH-ja pati thënë se Tahiri ishte shkarkuar për shkak të mosarritjes së objektivave dhe obligimeve të shumta që kishte si mjek dhe në procesin arsimor, por tek më pas kishte pranuar se është larguar për shkak të “dyshimit për sjellje jokorrekte”.

Vetë Tahiri kishte thënë se ka kërkuar vetë largimin, ndërsa “përfoljet” për ngacmime seksuale kishte thënë se i ka bërë “dikush që nuk ka arritur të marrë projekt në MSh”.

Pesë vjet pas këtij shkarkimi, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i ka dhënë detyrë të re Tahirit. Ai më 2 shkurt e ka deleguar atë në anëtar të Këshillit Drejtues të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Zemaj ka qenë i paqasshëm në thirrjet e KOHËS të shtunën.

Në anën tjetër, Tahiri ka thënë shkurt se “atë kohë s’ka ndodhur asgjë” e se “rasti nuk ka vazhduar as në instanca gjyqësore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *