Rreth 27 mijë pako me fletëvotime nga diaspora në pritje të vlerësimit

Deri të hënën duhet të pritet për të parë numrin e saktë të vendvotimeve të cilat mund t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit. Duke mos treguar se sa vendvotime janë duke u vlerësuar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pas rekomandimit të Qendrës së Numërimit të Votave, për një gjë të tillë do të vendosë KQZ-ja. Elezi më tutje ka bërë të ditur se deri më tani janë aprovuar 11 mijë e 800 zarfe me fletëvotime nga gjithsej 16 mijë e 800 të tilla të vlerësuara
Prishtinë, 20 shkurt – Edhe 26 mijë e 700 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë kanë mbetur të vlerësohen nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Nga 43 mijë e 500 pako të ardhura me postë, deri në shtunën janë vlerësuar 16 mijë e 800 të tilla.

Derisa vlerësimi i tyre ende është duke vazhduar, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri më tani janë aprovuar 11 mijë e 800 zarfe me fletëvotime.

“Shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit. Deri më tani nga rreth 16.800 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11.800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 4.950 zarfe me fletëvotime”, ka thënë Elezi, derisa ka shtuar se arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme.

“Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor) apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkëngjitur dokumente jo-valide”, ka shtuar ai.

Më tutje, Elezi ka bërë të ditur për procedurat të cilat janë duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Deri më tani, nga 2 mijë e 382 vendvotime janë procesuar në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2 mijë e 247 vendvotime apo shprehur në përqindje 94.33 për qind dhe të dhënat për formularët e kandidatëve për 1 mijë e 814 vendvotime apo 76.15 për qind.

Në anën tjetër, Elezi ka thënë se deri të hënën pritet të bëhet e ditur edhe numri i vendvotimeve të cilat mund të rinumërohen.

“Ka vendvotime të cilat janë duke iu nënshtruar procesit të auditimit dhe deri nesër në mbrëmje eventualisht të hënën paradite do të mund të kemi një raport se sa do të jetë numri i saktë i vendvotimeve të cilat mund t’i nënshtrohen rinumërimit”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se është ende herët të dihet se kur do të përfundojë i gjithë procesi e të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare e certifikimin e tyre. Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, Elezi ka përmendur ato të vitit 2019, kur shkaku i rinumërimit të rreth 90 për qind të vendvotimeve, KQZ-së i janë dashur 53 ditë për të certifikuar rezultatet.

“Nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve KQZ-së i janë dashur 27 ditë më 2014 dhe 28 ditë më 2017. Numri i vendvotimeve të rinumëruara ka qenë 21 – 22 për qind e vendvotimeve. Ndërsa, zgjedhjet e vitit 2019, nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim janë përmbyllur brenda 53 ditëve. Më 2019 procesi ka zgjatur më shumë, për shkak të numrit të madh të vendvotimeve të rinumëruara, rreth 90 për qind e tyre apo 2 mijë e 254 nga 2 mijë e 547 vendvotime”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur më 14 shkurt. Sipas rezultateve preliminare, partia fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, me 47.85 për qind, e pasuar nga PDK-ja me 17.41 për qind e LDK-ja me 13.08 për qind.

Koha Ditore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *