Gjesti i shqiptarit që tërhoqi vëmendjen e mediave gjermane

Nazmi Aruqi nga Kosova është bërë shembull në Gjermani për shkak të një veprimi human që ka bërë.

Në kohën kur në Gjermani temperaturat kanë shënuar – 12 gradë Celzius, Aruqi ka hapur dyert e dy hoteleve dhe ka strehuar personat që nuk kanë shtëpi. Ai ka thënë se e ka bërë këtë veprim për t’i ndihmuar gjermanët, sikur ata kishin strehuar para luftës shqiptarët që kërkonin azil në Gjermani.

“Në qytetin ku jetoj i kam dy hotele, dhe njerëzve që janë pa banim u kam mundësuar që të strehohen aty. U kam ndihmu atyre sikur ata që na kanë ofruar neve strehim kur kemi ardhë azil në Gjermani”, ka thënë Aruqi.

Shqiptari që jeton në Gjermani që nga viti 1995 ka thënë se edhe gjermanët janë habitur me veprimin e tij.

“Gjermanët më kanë falënderu nga të gjitha anët, e kanë parë këtë gjest dhe u ka ardhur mirë që një i huaj i ndihmon gjermanët. Gjermanët nuk janë mësuar prej një të huaji, dhe ky është një gjest. Unë e kam bërë këtë veprim, sepse edhe vetë kam qenë kështu pa strehim”, ka thënë Aruqi.

E ky gjest ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave gjermane. Aruqi tregon se të shumta kanë qenë mediat gjermane që e kanë kontaktuar dhe kanë shkruar për gjestin e tij. “Më kanë kontaktuar shumë media në Gjermani dhe ka qenë edhe për ta një çudi dhe gjest që e kanë vlerësuar shumë”, shprehet ai. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *