Malcom X, simboli i luftës kundër racizmit në SHBA, përkujtohet në 56-vjetorin e vdekjes

Malcolm X fitoi respekt të madh në botë me luftën e tij aktive kundër racizmit që atëbotë mbizotëronte në SHBA, ndërkohë që ende vazhdon të jetë frymëzim veçanërisht për afroamerikanët

New York

Mbrojtësi i të drejtave të njeriut, muslimani amerikan Malcolm X, sot përkujtohet me rastin e 56-vjetorit të vdekjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Malcolm X, i cili në luftën kundër racizmit u përpoq të eliminonte ndarjen mes të bardhëve dhe afroamerikanëve me ngjyrë me mësimet e Islamit për tolerancën dhe vëllazërinë, u vra më 21 shkurt 1965, kur u qëllua nga tre agresorë të armatosur teksa mbante një fjalim në New York.

Luftëtari i kauzës dhe lirisë Malcolm X

Malcolm X, emri i vërtetë i të cilit ishte Malcolm Little, erdhi në jetë në vitin 1925 si i biri i një predikuesi me emrin Earl Little, i cili besonte se afroamerikanët nuk do t’i fitojnë liritë dhe se ata duhet të kthehen në Afrikë.

Që në moshën pesëvjeçare, Malcolm-it i vritet babai nga autor i panjohur, ndërsa nëna i mbyllet në një spital të shëndetit mendor. Pas fëmijërisë që kaloi në varfëri dhe vështirësi, në vitin 1946 u dënua me burg për vjedhje.

Gjatë kësaj periudhe, Malcolm X përvetësoi idetë e Elijah Muhammed, liderit të lëvizjes Nation of Islam (Kombi i Islamit), e cila mbronte “nacionalizmin me ngjyrë”. Ai iu bashkëngjit kësaj lëvizjeje pasi u lirua nga burgu në vitin 1952. Që nga kjo kohë, Malcolm-i filloi të përdor mbiemrin X, në shenjë përfaqësimi për mbiemrat e paraardhësve afrikanë të cilët ishte e pamundur të njiheshin. Falë personalitetit të tij karizmatik, energjisë së tij, fjalëve dhe stilit të tij të zjarrtë që nuk i kursente fjalët, ai shpejt u bë një nga fytyrat kryesore të lëvizjes.

Me kalimin e kohës, Malcolm X ra në mosmarrëveshje me Elijah Muhammed lidhur me përqendrimet e lëvizjes, metodat e përdorura dhe këndvështrimet ndaj fesë. Më 1964, ai u nda nga Nation of Islam, ndërsa menjëherë më pas shkoi në vendet e shenjta islame për të kryer Haxhin, ku, siç thoshte ai, kishte parë “frymën e unitetit dhe vëllazërisë të njerëzve të të gjitha ngjyrave nga e gjithë bota”.

Në periudhën e fundit të jetës së tij, ai mbrojti nevojën për të kuptuar fenë islame për zgjidhjen e problemit racor të shoqërisë amerikane dhe luftën për të drejtat e njeriut duke marrë për bazë vëllazërinë mes të gjitha racave. Gjatë kësaj kohe, ai filloi të përdorë emrin El-Hajj Malik El-Shabazz.

Më 21 shkur të vitit 1965, Malcolm X u qëllua për vdekje teksa po mbante një fjalim në Harlem të New York-ut.

Biografia e liderit musliman me ngjyrë Malcolm X, e shkruar së bashku me Alex Haley, shkrimtarin e romanit “Rrënjët” i cili paraqet një nga kryeveprat në letërsinë afroamerikane, konsiderohet si një nga autobiografitë më të rëndësishme të shekullit 20.

Malcolm X fitoi respekt të madh në botë me luftën e tij aktive kundër racizmit që atëbotë mbizotëronte në SHBA, ndërkohë që ende vazhdon të jetë frymëzim veçanërisht për afroamerikanët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *