Ristartimi i teleferikut – shans dhe mundësi për rimëkëmbjen e Kodrës së Diellit

Nga aspekti i ditëve të sotshme të promovimit të ofertës turistike të Kodrës së Diellit, teleferiku do të mund të ofrohej si: produkt special turistik-atraksion, pjesë integrale e destinacionit Kodra e Diellit apo pjesë e paketës turistike të Malit Sharr respektivisht Kodrës së Diellit.

Dimri i sivjetshëm i pasur me borë dha një sinjal të qartë për vendimmarrësit e politikave zhvillimore të Malit Sharr si tërësi, dhe Kodrës së Diellit si destinacion turistik, se për këto hapësira ka një interesim të shtuar si kërkesë turistike shumë kohë të lënë pasdore. Megjithatë tollovia e krijuar me trafikun përgjatë rrugës që të çon deri te qendra e në veçanti mungesa e parkingjeve nxitën njohësit, dashamirët dhe adhuruesit e këtyre vendeve të mendojnë për ‘hapjen e Kutisë së Pandorës’, në të cilën me dekada kanë qenë të mbyllura problemet rreth dhe për Kondrën e Diellit dhe të njëjtat të aktualizohen e të mendohet me përgjegjësi për zgjidhjen e tyre. Parasëgjithash si problem madhor është trafiku i rënduar që vë në ngërç këtë qendër gjatë fluksit të madh në stinën e dimrit. Shih për këtë paraqitet nevoja shumë e ngutshme e rivënies në funksion të teleferikut i cili lidh qytetin e Tetovës me Kodrën e Diellit, njërit nga teleferikët dikur më të parapëlqyer e më atraktiv në Ballkan. 

Teleferikët malor formojnë shtyllën kurrizore për turizmin në rajonet malore. Po të ndodh ndërprerja e punës së tyre, turizmi në rajone të tëra bjen në një ngecje, gjë që shkakton kokëçarje duke krijuar kështu humbje dhe dëme të mëdha në ekonomi. Edhe pse shfrytëzimi i teleferikëve është rritur pozitivisht me vite gjatë stinës së verës, përsëri dimri do të mbetet, në të ardhmen e parashikueshme, stina më e rëndësishme dhe më e kërkuar për këtë mjet komunikacioni e transporti për vendet alpike. Kjo për shkak se industria e teleferikëve ende nxjerr në pah rreth 75% të shitjeve vjetore nga turisizmi në dimër. Por, oferta turistike verore tashmë është zgjeruar në mënyrë aktive dhe në planin afatgjatë, andaj destinacionet në rajonet malore mund të përfitojnë nga ndryshimet klimaterike. Për shumëkënd, sot, vendpushimet me lartësi mbidetare duket të jenë më tërheqëse sesa plazhet e nxehta. Për këtë arsye ka disa vite që bizneset e teleferikëve janë përqendruar gjithnjë e më shumë në turizmin gjatë gjithë vitit. Biznesmenët e tillë janë të gatshëm të investojnë edhe në ofertat e plota turistike gjatë stinës së verës dhe vjeshtës, për shembull në shtigje biçikletash, parqe me lojëra uji, gastronomi aventuriere, festivale kulturore apo edhe në ura pezullimi spektakulare, platforma panoramike, etj. Atraksionet e tilla po zhvillohen duke u bërë magnet i vërtetë tërheqës që mundësojnë mënyra të reja argëtuese të natyrës përkatëse për mysafirët në lartësi të këtilla mbidetare. 

Roli i teleferikut ka ndryshuar gjatë rrjedhës së kohës. Dikur ishte një mjet jo i zakonshëm transporti për ngjitjezbritje – sot është një mënyrë e ofertës turistike moderne në bjeshkë. Hëpërhë teleferikët paraqesin motorin e boshtin kryesor të  turizmit të përgjithshëm në vendet alpine. Vetëm në Austri, që njihet si vend prijës i këtij tregu turistik botëror funksionojnë 253 kompani teleferikësh. Falë investimeve të mëdha në teknologji dhe përmirësimin e kushteve, komoditetit dhe sigurisë të teleferikëve austriakët prijnë me ofertat turistike bjeshkataro-malore dimërore e verore. Industria austriake e teleferikëve regjistron një standard shumë të lartë të cilësisë dhe sigurisë në të gjithë botën – falë investimeve të larta vjetore në sigurinë, komoditetin dhe modernizimin e sistemeve dhe teknologjisë. Prandaj dhe bëhet fjalë për një industri të teleferikëve, si një sektor i fortë ekonomik, i përfaqësuar mirë dhe teknikisht shumë i përparuar. Sektori i shërbimeve të teleferikëve është i rëndësishëm për ekonominë vendase dhe prodhon të ardhura të konsiderueshme. Kështu, sipas disa të dhënave, në stinën e dimrit 2018/19 në Austri të ardhurat nga ky sektor ishin 1,55 miliardë euro, ndërkaq në Zvicër teleferikët sollën fitimin prej 1.5 milionë franga zvicerane. 

Ekzistojnë lloje të ndryshme të sistemeve të teleferikëve por ne, kësaj radhe, po i referohemi teleferikut me kabina – gondola (në rastin tonë për 4 persona) që rrëshqasin në litarë metalikë ajrorë e që transportojnë pasagjerë në një gondolë me litarë metalikë pezullues.

Sa i përket teleferikut që lidh qytetin e Tetovës me qendrën turistike Kodra e Diellit mund të themi se ai ende sot ngel simbol identifikues i Tetovës dhe Malit Sharr. Ky mjet transporti është përkufizuar nga njohësit dhe specialistët e mirë të rrethanave si perspektivë e veçantë turistike dhe ekonomike. Nga ky këndvështrim, teleferiku paraqet një element thelbësor të identitetit zhvillimor dhe jo vetëm të Kodrës së Diellit e të vetë qytetit të Tetovës si qendër ekonomike, turistike, kulturore e politike në RMV. 

Teleferiku u lëshua në përdorim më 11 tetor 1962.  Në fillim u ndërtua pjesa e parë e linjës deri në stacionin e parë në fshatin Lisec. Pjesa e dytë nga Liseci në Popova Shapka (siç thirrej më parë) u lëshua në përdorim më 8 mars 1965. Gjatësia totale e kësaj linje teleferiku është 6.200 metra me një kapacitet prej 400 pasagjerësh për 1 orë. Udhëtimi zgjaste 40 minuta me një ndryshim në lartësi prej 1.400 metra. Shpejtësia e vozitjes ishte 3 metra në sekondë. Sipas të dhënave statistikore nga  Byroja Komunale e Statistikave, vetëm në vitin 1965, u bartën 102.912 pasagjerë. Teleferiku që transportonte turistët, vizitorët, skiatorët dhe adhuruesit e hapësirave të bjeshkëve e maleve të Sharrit në zonën turistike të Kodrës së Diellit, që atëherë e deri më sot, u la mbas dore dhe doli nga përdorimi. Në vitin 2001, veçmas, për shkak të dëmtimit të pjesshëm ose edhe (diku-diku) të rendë të kabllove kryesore, shtyllave dhe instalimeve të tjera gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001.

Në periudhën më shumë se tridhjetë vjeçare të ekzistencës së tij nga viti 1964 deri në vitin 2001 teleferiku u bë “pronë” e të gjithë qytetarëve tetovarë e më gjerë, si një atraksion i parapëlqyer i vizitorëve të Kodrës së Diellit e Malit Sharr. Sot Kodra e Diellit paraqet destinacion të rëndësishëm turistik për shumë turistë, vizitorë dhe qytetarë, ndërkaq teleferiku mund të shërbejë si një burim emocionesh të veçanta. Ky mjet transporti mund të merr sërish vlerën e jashtëzakonshme atraktive turistike, vetëm përmes një investimi minor për nga vëllimi, krahasuar me, ta zëmë, teleferikun në Vodno, i cili siç duket, doli investim i gabuar. Vlera dhe rëndësia e këtij mjeti të transportit atraktiv depërtonte edhe në sferën arsimore të të rinjve duke zhvilluar dashurinë dhe ngritjen e tyre të vetëdijes e përgjegjësisë për mbrojtjen e natyrës, si edhe në zhvillimin dhe socializimin e të rinjve në natyrë, përmes sportit dhe rekreacionit.

Nga aspekti i ditëve të sotshme të promovimit të ofertës turistike të Kodrës së Diellit, teleferiku do të mund të ofrohej si: produkt special turistik-atraksion, pjesë integrale e destinacionit Kodra e Diellit apo pjesë e paketës turistike të Malit Sharr respektivisht Kodrës së Diellit.

Një investim për ristartimin e linjës së teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit sigurisht do të ringjallte këtë qendër si destinacion turistik, dhe do të ndikonte në tërë rajonin e Malit Sharr si tërësi. Teleferiku do të ketë rëndësi shumëdimensionale. Rivënia e teleferikut në funksion është më se e sigurt se do të ngriste ofertën turistike të Kodrës së Diellit dhe Malit Sharr më gjerësisht gjatë gjithë vitit, sepse përmes tij do të bëhej transporti i:

– dashamirëve të sporteve dimërore gjatë periudhës së dimrit;

– turistëve të cilët do të vijnë me qëllim të shijimit të panoramës  nga një lartësi e konsiderueshme e  fushëgropës së Pollogut, si dhe pejsazheve të shpatijeve të Malit Sharr gjatë gjithë vitit;

– turistëve që janë të interesuar të vizitojnë dhe të merren me sporte dhe aktivitete si p.sh. alpinizmi, paragladerizmi, kalërimi, ‘hiking’-u në Malet e Sharrit në muajt e verës dhe të ngjashme;

– ekskursionistëve dhe vizitorëve ditorë nga qytetet përreth;

– qytetarëve që kanë vila, shtëpi dhe apartamente në Kodrën e Diellit si dhe banorëve të fshatit Lisec e Shipkovicë;

– grupeve të organizuara të turistëve dhe ekskursioneve të nxënësve dhe studentëve;

– mallrave të nevojshëm për objektet hoteliere dhe restorantore në Kodrën e Diellit, etj.

Funksionimi i teleferikut gjatë gjithë vitit, do të kontribuonte në zvogëlimin e numrit të automjeteve, do të zhbllokonte trafikun në qendrën turistike dhe do të zvogëlonte ndotjen e ajrit dhe të ambientit nga djegia e karburanteve  që do t’i shkonte për shtati iniciativës që Mali Sharr të shpallet Park Kombëtar. Efektet pozitive socio-ekonomike nga rivënia në funksion e teleferikut do të manifestohen edhe në fushën e angazhimit të objekteve akomoduese nëpër hotelet dhe vilat ekzistuese, objektet që ofrojnë shërbime me pije dhe ushqime, si dhe shërbimet e tjera përcjellëse siç janë: shkollat për skijim ose ato për paragladerë, dhënia e rekuizitave sportive me qira, dhe të ngjashme. Kuptohet se kjo më pastaj do të inkurajojë zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë, bletarisë, industrisë ushqimore etj. 

Të dhënat dhe shifrat e bilanceve të teleferikut para se të pushojë së funksionuari flasin se, sot ai do të ishte fitimprurës, investim i justifikuar ekonomikisht, dhe një biznes i suksesshëm. Sipas përllogaritjeve të mia numri i udhëtarëve të mundshëm të transportuar të teleferikut del diku 270,000 në total, në të dyja drejtimet në bazë vjetore dhe si objektiv është  mjaft  realist:

  • 10% e popullsisë së moshës 15 deri 64 vjeç që do të vizitonte Kodrën e Diellit një herë në 

vit – rreth 100.000 pasagjerë në vit;

  • 7% e popullsisë së moshës 15 deri 64 vjeç që do të vizitonte Kodrën e Diellit dy herë në 

vit – rreth 70.000 pasagjerë në vit; 

  • 3% e popullsisë 65 vjeç e lart që do të vizitonte Kodrën e Diellit një herë në vit – rreth 

7.000 pasagjere; 

  • 10% e turistëve që vizitojnë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin – rreth 20.000 pasagjerë në 

vit;  

  • 5% e popullsisë nën 14 vjeç përmes vizitave në shkolla / klube sportive – rreth 40.000 

pasagjerë në vit;  

  • 10% e studentëve në  të dy universitetet e Tetovës dhe Shkupit – rreth 15.000 pasagjerë 

alpinistë, sportistë, e të tjerë. 

Këto përllogaritje dalin në bazë të numrit të turistëve nga viti 2018 që është 37.091 në rajonin e Pollogut dhe 367.597 turistë në rajonin e Shkupit; pastaj nga numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në rajonin e Pollogut diku reth 30.000, dhe numri i studentëve në të dy universitetet e Tetovës diku 15.000. Nëqoftëse bazohemi në çmimet e biletave te teleferikët e ngjashëm në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, e që sillen nga 4 – 8 euro, (në teleferikun e ngjashëm në Zlatibor, Serbi dhe në Dajti Ekpsres, Shqipëri) del se teleferiku do të mund të punonte me rentabilitet. Ristartimi i teleferikut ndoshta nuk është financiarisht i vlefshëm në planin afatshkurtër,  por është në atë afatgjatë. Sidoqoftë, nëse shihet si pjesë e produkti integral Kodra e Diellit – destinacion turistik rekreativ, ku teleferiku është elementi kryesor i produktit turistik, atëherë ka mundësi që të jetë i njëjti financiarisht i qëndrueshëm në treg.

Kur është fjala për strukturën e mjeteve financiare për investim në ristartimin e teleferikut, duhet të kihen parasyshë mjete nga buxheti i RMV, ato nga grante të organizatave ndërkombëtare dhe nga fondet IPA të BE-së, siç ka ndodhur me shumicën e investimeve të teleferikëve në vendet e rajonit. 

Për fund duhet të përmenden edhe problemet me të cilat do të ballafaqoheshin, me gjasë, bartësit e aktiviteteve për realizimin e këtij projekti. Parasëgjithash çështje problemore është mungesa e një plani strategjik zhvillimor turistik për rajonin në tërësi, problemet pronësore juridike, mungesa e dëshirës së organeve republikane vendimmarrëse nga sfera e turizimit për një projekt të tillë, mungesat financiare që do të orientoheshin për zhvillim të qëndrueshëm në këto anë, e të ngjashme.


Tetovë, messhkurt, 2021                                                                                 Mislim Zendeli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *