Luan Statovci i arrestuar sot, dy vjet më parë ishte liruar nga akuzat për korrupsion

Njëri nga zyrtarët e arrestuar sot të Ministrisë së Bujqësisë, Luan Statovci ishte përballur më parë me një akuzë për mashtrim me subvencione por ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata.

Statovci, i cili ndodhet në mesin e 12 zyrtarëve të arrestuar të Ministrisë së Bujqësisë nën dyshimin se ka mashtruar me subvencione, në vitin 2018 ishte liruar plotësisht nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohej se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prizren nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që provonin se Statovci ka kryer veprën penale.

Në të njëjtin rast, gjykata megjithatë kishte dënuar me gjobë 11 të akuzuar të tjerë. Aktgjykimi i gjykatës theksonte se trupi gjykues ka gjetur fajtor të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim.

Luan Statovci mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Gruaja e Luan Statovcit, ka deklaruar sot me insistim se nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur aksioni i bastistjes.

Mes tjerash ajo ka thënë për Klan Kosovën, se beson në pafajësinë e bashkshortit të saj dhe shtoi se paratë e gjetura në shtëpinë e tyre, nuk janë të ryshfetit, por janë mjete të ruajtura nga bizneset që udhëheqin në Prishtinë.

Ndërkaq, drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit, Nazim Sahiti ka thënë se në këtë aksion sekuestruar diku afër 400 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *